Putini, Vuçiqit për Kosovën: Ne kemi qëndrim parimor, shpresojmë të përmbushen interesat e të gjithëve

Putini, Vuçiqit për Kosovën: Ne kemi qëndrim parimor, shpresojmë të përmbushen interesat e të gjithëve

Pozicioni i Rusisë për Kosovën nuk i nënshtrohet situatës aktuale politike dhe Moska shpreson se do të gjendet një zgjidhje në dobi të interesave të të gjitha palëve, tha të enjten presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit që zhvilloi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ju e dini se qëndrimi ynë është i natyrës parimore, nuk i nënshtrohet mjedisit aktual politik. Ne mbështesim qëndrimin tuaj për zgjidhjen e Kosovës dhe shpresojmë se situata përfundimisht do të zhvillohet në atë mënyrë që do të përmbushë interesat e të gjithë njerëzve të cilët jetojnë atje”, i tha Putini presidentit serb Vuçiq gjatë një takimi në Soçi.

Ndërsa Vuçiqi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë i cilësoi si në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

“Faleminderit i nderuar president dhe mik i dashur që gjetët kohë për takimin tonë, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit. Ky është një takim shumë i rëndësishëm, takimi më i rëndësishëm për mua. Besoj se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë në histori dhe janë duke u zhvilluar në të gjitha fushat”, theksoi presidenti serb.

“Siç e dini, ne jemi partnerë strategjikë dhe Serbia e sheh atë si privilegjin e saj”, shtoi ai.

Kreu i shtetit serb falënderoi gjithashtu Rusinë për, siç tha, “mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit” të vendit të tij.

“Siç e dini, ne po shohim një rritje të provokimeve dhe tensioneve në rajonin tonë, veçanërisht në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Ju falënderoj përsëri për mbështetjen në organizatat ndërkombëtare”, tha Vuçiqi.

Kujtojmë se Vuçiqi po qëndron në Rusi për një vizitë zyrtare.

Shpërndaje në: