Qalaj paralajmëron mbylljen e lokaleve që nuk respektojnë masat kundër COVID-19

Periskopi.com Lajme

Nga 434 mostra në 24 orët e fundit, kanë rezultuar 224 persona pozitivë, 152 janë shëruar, ndërsa 10 të tjerë kanë humbur betejën me Covid-19.

Gjatë ditës së sotme në spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK-së kanë qenë të shtrirë 599 pacientë. Ndërkohë që është përmendur ashpërsim i masave, drejtori i Policisë së Kosovës ka paralajmëruar mbylljen e lokaleve që nuk po i respektojnë masat antiCovid-19.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se ditëve të fundit situata epidemiologjike është e rënduar shkaku i numrit të madh të rasteve.

“Gjatë 24 orëve të fundit në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike me metodën Real Time PCAR janë testuar gjithsej 434 mostra të marra nga gjitha klinikat e ShSKUK-së, spitaleve regjionale dhe gjurmim të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 224 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive ka arritur në 8554 raste nga 36943 raste të dyshimtë në virusin SarsCov2, me gjithsej 237 raste të vdekjes të cilët kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 152 pacientë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot arrin shifrën 2730 të shëruar”, ka thënë Ramadani.

Gjatë raportimit të rasteve të reja në 24 orët e fundit, Ramadani ka njoftuar se numri i rasteve aktive me Covid-19 është 3588. Ai ka lutur qytetarët që të zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha se vetëm me zbatimin e masave të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, do të ulet fluksi dhe presioni për të shtuar kapacitetet e reja, me shtretër dhe personel shëndetësor. Në të kundërtën me këto sjellje, Krasniqi tha se është duke u rrezikuar shëndeti i qytetarëve.

“Ne sot nëpër spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK-së kemi të shtrirë 599 pacientë. Qoftë të konfirmuar ose të dyshuar që janë në pritje të rezultateve me Covid. Nga këta 257 janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së, dhe 342 në spitalet regjionale. Gjendja e përgjithshme e tyre është jashtëzakonisht e rënduar. Kemi 39 pacientë që janë të kyçur në respiratorë, 15 nga këta të intubuar që i vlerësojmë në gjendje shumë kritike. Nga ky numër i përgjithshëm i të shtretërve në klinika dhe spitale regjionale 370 pacientë i kemi me oksigjeno-terapi të vazhdueshme. Pra, kemi një situatë jashtëzakonisht të rënduar edhe në aspektin klinik me një fluks të madh të pacientëve të cilët po vijnë në forma të rënda të sëmundjes”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka paralajmëruar mbylljen e lokaleve që po shkelin masat antiCovid-19.

Ai u ka bërë thirrje pjesëtarëve policorë që çdo operator ekonomik që ka përsëritur në vazhdimësi veprimet që nuk janë në përputhje me masat mbrojtëse, përveç gjobave, ato duhet edhe të mbyllen.

“Policia e Kosovës deri më tani ka bërë 11, 824 fletë-paraqitje të cilat i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë dhe këto fletëparaqitje do të shndërrohen në gjoba. Kemi bërë 14, 101 vërejtje qytetarëve, të cilat janë vërejtje me shkrim, të cilat janë të evidentuara në data bazat tonë. Dhe konsideroj që dhe u bëj thirrje policëve të Kosovës që tani e tutje mos të lejojnë qytetarët e Kosovës të cilët nuk respektojnë vendimet e qeverisë, masat mbrojtëse dhe të sanksionojnë të gjithë. Po ashtu së bashku me inspektorët sanitarë që të shtojnë inspektimet në operatorë ekonomikë, në lokale, markete dhe autobusë”, ka theksuar ai.

Në 24 orët e fundit, komuna e Prishtinës prin me 70 raste, komuna e Ferizajt dhe Prizrenit me nga 20 raste, komuna e Fushë-Kosovës 16 raste, Kaqaniku me 13 raste, Vushtrria me 10, Mitrovica 9, Gjilani 8, komuna e Lipjanit dhe Podujevës me nga 7 raste, komuna e Drenasit dhe Skenderajt 6 raste, komuna e Dragashit, Malishevës, Suharekës me 5 raste, komuna e Pejës me 4, Klina dhe Vitia me 3 raste, Gjakova, Kamenica, Obiliqi me nga dy raste, dhe Obiliqi me një rast.

Shpërndaje në: