Qe dy hapat e thjeshtë qysh me luftu korrupsionin

Qe dy hapat e thjeshtë qysh me luftu korrupsionin

Të gjitha partitë politike në Kosovë në këtë vakt prag-fushate kanë shpallur luftë kundër korrupsionit. Dhe, më duket që sa më shumë gjynahe të kenë, aq më të sertë janë në fjalët e tyre. Disa premtojnë bile edhe se do ta “zhdukin” e “çrrënjosin” dukurinë në fjalë. Edhe pse, të gjithë janë vetë-deklaruar si politikanë të qendrës, domethënë centristë. Në vijë me sistemin ekonomiko-politik. Në mbrojtje të tij.

Nuk kam çare pa i shprehë do bindje elementare për këtë problem. Unë besoj që korrupsioni është nënprodukt i lirive dhe të drejtave tona. Unë besoj që sistemi ekonomik e projekti politik i internacionalizmit liberal (por jo vetëm) në çdo vend tjetër të kësaj dynjaje, gjeneron praktika të ndryshme abuzive me pushtet. Pra, për ta thënë troç: korrupsion ka bash në secilin vend neo-liberal e demokratik. Hapësira e ofruar për veprim nga liritë dhe të drejtat që na mbron Kushtetuta, është hapësirë që njerëz të ndryshëm e shfrytëzojnë edhe për korrupsion.

Korrupsioni dhe liria

Ky sistem në vetvete është korruptues. T’i përmendim shkurtimisht nja dy raste tepër të rënda. Sistemi në fjalë ia doli ta nënshtronte e ta fëlliqte për ibret edhe të ‘radikalin e majtë’, Aleksis Ciprasin. Austeritetin e rëndë ai jua vuri mbi kurriz brutalisht bash atyre që deklaronte se do t’i mbronte: të varfërve. Këta i dëboi nga shtëpitë e veta dhe jua shiti shtëpitë. Ngjashëm dëshpëroi edhe Pablo Iglesias i të majtës së fuqishme spanjolle “Podemos” [shq.Mundemi]. Mediat e vendit të tij raportuan se si politikani idealist kishte blerë shtëpi luksoze prej 600 mijë Eurove.

Natyrisht, unë nuk po propozoj që t’i shpallim tolerancë korrupsionit e as që të provojmë shembjen e sistemit. Unë thjesht dua të qartësoj rrezikun që i kanoset një shoqërie kur në ligjërimin publik veprojnë me koncepte neo-fetare, me të keqen absolute në një anë, dhe të mirën absolute në tjetrën. Kjo rrezikon në formë direkte të drejtat dhe liritë tonë, duke trasuar udhën drejt autoritarizmit e totalitarizmit.

Gjyqësori duhet të jetë i pavarur në një shoqëri demokratike. Për fat të keq, ai është i kapur në një masë të konsiderueshme nga partia që e mbajti pushtetin në 12 vitet e fundit. Por, nuk është krejtësisht i kapur dhe kjo na dëftehet nga vetë Afera Pronto. Ata që i kanë dëgjuar me kujdes ato telefonata, e marrin vesh që ndikimi i këtij klani mbi institucionet nuk është dhe nuk mund të jetë i plotë.

Por, “qëllimi i lartë” do ta arsyetonte “mjetin”. E “qëllimi” që do të ishte lufta kundër korrupsionit, do të arsyetohej përmes “mjetit” që do të ishte kapja e hapur e kësaj pjese të pushtetit. Dikush mund të thotë: nuk e kanë seriozisht luftën kundër korrupsionit! Por, por druhem që “lufta kundër korrupsionit” mund të shërbejë si një hap i domosdoshëm drejt realizimit të qëllimit final, e që është kapja e plotë e pushtetit në vend. Kjo do ta bënte serioz “qëllimin”.

Qe çka mund të bëhet

Ajo çka mund të bëhet është tepër e thjeshtë dhe tepër ambicioze. Në rend të parë, siç e kam përsëritur sa e sa herë, vyen një rishikim i plotë i tregut të punës. Pse? Sepse, një pjesë e madhe e këtij tregu, sidomos në sektorin publik, argumentueshëm është trill i pushteteve të deritashme. Domethënë, ka punë krejtësisht të panevojshme, të trilluara, e të cilave nuk ia sheh hairin ndërmarrja apo shoqëria. Pse? Sepse për këto punë nuk lypet përgjegjësi, dhe meqë nuk lypet përgjegjësi, partitë politike i favorizojnë njerëzit jokompetentë të afërm që i kanë. Sepse, po të ishte lypej efikasitet i lartë, atëherë njeriu kompetent do të ishte i domosdoshëm. E bash kjo duhet të bëhet: duhet ta bëjmë të domosdoshëm njeriun kompetent. Por, ky është një pohim paksa i romanticizuar sepse e dimë mirë që fuqia e kualifikuar punëtore, njerëzit me kompetencë të lartë, janë të kufizuar në numër.

Pra, duhet të shkurtohet në masë drastike personeli në administratën publike. Të shqyrtohen imtësisht listat e pozitave në Telekom, në Televizionin Publik, nëpër ministri e nëpër ndërmarrje e agjenci tjera publike.

Në sektorin privat gjërat ndryshojnë skajshëm. Kjo sepse, kompetenca është detyrueshmëri e mbërritjes së akumulimit të përfitimeve për pronarët e filan bizneseve. Matja e performancës është detyrueshmëri shkaku i garës në treg. Por, matja e performancës në skemën e prodhimit të sektorit publik është tepër problematike, sepse nuk i nënshtrohet garës në treg dhe çelë hapësirë për abuzim të ri politik.

Një tjetër ide e fortë që ndryn në vete sakrificë për partitë politike, është zotimi për ndalesën në punësim gjatë mandatit qeveritar të aktivistëve të papërfshirë në organet vendim-marrëse partiake dhe të familjarëve të tyre. Kjo ndalesë do ta sfidonte në formë direkte nepotizmin dhe klientelizmin. Është e dukshme për të gjithë se partitë politike [jo të gjitha njësoj] i kanë lidhur aktivistët e tyre me vargonjtë e interesave direkte, dhe jo me ato të idealeve. Ky veprim do ta kthente idealizmin në angazhimin politik.

Sidoqoftë, edhe nëse ndërmerren këto veprime, korrupsion prapë do të ketë. Ashtu siç ka bile edhe në vendet skandinave, si Suedia, Finlanda, Norvegjia e Danimarka. Korrupsioni është pjesë e natyrës njerëzore, siç thotë në përsiatjen e tij Njeriu i Nëntokës te “Shënime nga Nëntoka”.

Krejt çka mund të bëjmë është reduktimi i tij. Bile bile, reduktim duke operuar në mënyrë tepër të kujdesshme me aletin, mjetin. Sepse jo, në demokraci kurrfarë qëllimi nuk arsyeton mjetin. Mjeti është i shenjtë!

Shpërndaje në: