Qemajl Mustafa punësoi në ZRRE vajzën e mikut të tij

Qemajl Mustafa punësoi në ZRRE vajzën e mikut të tij

Biseda publike në Facebook, nëpërmjet komenteve, ka zbuluar se ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa ka ndihmuar në punësimin e vajzës së mikut të tij në Zyrën e Rregullatorit për Energji.

Ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, tash anëtar i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, para pesë orëve ka publikuar në Facebook një foto të librit “Bukë me Sallam”, të Charles Bukowski. Ka shënuar se e ka pasion leximin e librave. Por një prej miqve në Facebook i ka komentuar për krejt diçka tjetër.

“Përshëndetje i nderuar, respekt për ju dhe familjen tuaj, njëherit një falënderim i veçantë për angazhimin e juaj përkitazi me punësimin e vajzës sime Shpresës në ZRRE në Prishitnë. Do të ju jemi mirënjohës gjatë tërë jetës. Mirë u pafshim e mirë u takofshim”, i ka shkruar Qemajl Musliu.

Nuk ka vonuar shumë dhe i është përgjigjur Qemajl Mustafa, anëtar i bordit në Zyrën e Rregullatorit për Energji.

“Përshëndetje Kemo. Shpresa ka qenë e mirë në konkurrencë dhe me vjen shumë e mirë qe ka me i ndihmue zyrës në lëminë e saj së paku për disa vite. S’kemi çka me fsheh, asnjë i punësuar nuk ishte nga ana e jone deri tash në këtë zyrë dhe ky angazhim sadopak e zbute edhe këtë mungese rajonale. Suksese asaj dhe ju të gjithëve ne familje”, i ka shkruar Mustafa.

Insajderi ka kontaktuar ish-kryetarin e Gjilanit. Mustafa deklaroi nëpërmjet telefonit se nuk ka ndihmuar në punësimin e askujt. Ka thënë se nuk vendos për punësimin e njerëzve në këtë institucion.

“Ai është thjeshtë opinion i Qemajlit kinse unë e kam ndihmuar. Por unë nuk e kam ndihmuar askënd”, ka thënë Mustafa.

Disa minuta pas bisedës telefonike komenti i mikut të tij, Qemajl Musliut, është fshirë.

Po ashtu edhe Mustafa e ka fshirë komentin e tij,  ku i thoshte Musliut se ka bërë mirë që e ka ndihmuar punësimin e vajzës së tij./Insajderi/

 

 

Shpërndaje në: