Qerimi: Do të bëjmë lojën më të mirë të mundshme kundër Rumanisë

Periskopi.com Sporti

Selektori i ri i Kombëtares kosovare në hendboll, Bujar Qerimi ka folur për ndeshjen ndaj Rumanisë që do të zhvillohen këtë javë.

Kombëtarja e Kosovës në hendboll do të ndeshet këtë javë me Kombëtaren rumune në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022.

Hendbollistët tanë kanë zhvilluar të dielën dy stërvitje, nën urdhrat e selektorit të ri, Bujar Qerimi.

Selektori i Kombëtarës tonë, u shpreh optimist për ndeshjen me Rumaninë por theksoi se disa nga lojtarët nuk janë në formën optimale.

“Puna është duke ecur si duhet, ashtu si e kemi menduar. Kemi disa probleme të vogla me lëndime e po ashtu pandemia ka sjellë probleme”, tha ai.

“Disa lojtarë nuk kanë stërvitur shumë dhe si duhet. Si pasojë e kësaj kanë disa lëndime të vogla. Po mundohemi ti pushojmë për të qenë të gatshëm që ti bëjnë ballë Rumanisë, përkatësisht që të bëjmë lojën më të mirë të mundshme”, tha Qerimi.

“Përballë e kemi një shtet që hendbollin e ka ndër sportet më të mira. Lojtarët janë të vetëdijshëm se duhet të japin më shumë se që pritet prej tyre për të nxjerrë rezultat pozitiv”, përfundoi Bujar Qerimi.

Ai ka thënë se fillimisht synohet stabilizimi i ekipit dhe në afat të shkurtër të bëhet hapi para.

Shpërndaje në: