Qerkezi: Djemtë i martova për një ditë, nuset i pritën pesë vjet burrat e tyre

Qerkezi: Djemtë i martova për një ditë, nuset i pritën pesë vjet burrat e tyre

Ferdonije Qerkezi e cila ka humbur të gjithë familjen e saj gjatë luftës në Kosovë, ka bërë të ditur se dy djemtë e saj i ka martuar për një ditë, ndërsa gratë e tyre kanë pritur pesë vjet e gjysmë për burrat e tyre që të ktheheshin.

Ajo këto rrëfime i ka treguar në emisionin “Blic Interview” duke thënë se ende ka shpresë që djemtë e saj të kthehen në shtëpi, transmeton Klan Kosova.

“Të dy djemtë i kam martuar për një ditë. Nuset e tyre kanë pritur për pesë vjet e gjysmë që burrat e tyre të kthehen në shtëpi”.

Nëna Qerkezi e cila jeton tash e sa vjet e vetme në shtëpi, ka thënë se ende shpreson se djemtë e saj një ditë do të kthehen.

“Kjo është dhoma e djalit të madh, i kam pasur dy djemtë e mëdhenj të martuar. Zor që humba familjen, por edhe krenare që ranë për lirinë e Kosovës”.

Ferdonije Qerkezi ka rrëfyer se si i ka identifikuar fëmijët e saj të vrarë. Nënë Ferdonijes i ishin kthyer trupat e dy djemve të saj – Artanit dhe Edmondit.

Ajo ka treguar se identifikimin e trupave të dy djemve të vrarë e ka bërë përmes rrobave sepse e dinte saktësisht se çka kishin veshur ata për herë të fundit kur policia serbe ia mori nga shtëpia së bashku me bashkëshortin dhe dy djemtë e tjerë.

“Ata kanë qenë shtatgjatë dhe kur më thanë se dy djem ishin në Vërmicë i kam identifikuar përmes rrobave sepse e dija saktë se çfarë kanë pasur të veshur”, ka rrëfyer Qerkezi në “Blic Interview me Astrit Gashin”.

Ajo thotë se nuk shpreson që bashkëshorti i saj Halimi dhe dy djemtë e tjerë janë të gjallë.

“Jo, nuk i pres të gjallë sepse trupat e djemve – Artanit dhe Edmondit – janë kthyer. Trupat e bashkëshortit Halimit dhe dy djemve të tjerë nuk janë kthyer, por unë gjallë nuk i pres”, ka thënë nëna gjakovare e cila e ka humbur gjithë familjen në vitin 1999 nga forcat policore serbe.

Nënë Ferdonija ka deklaruar se nuk e ka asnjë informatë për bashkëshortin Halimin dhe dy djemtë e tjerë.

 

Shpërndaje në: