Qeveria dha 40 milionë euro për rrymën në veri, pavarësisht marrëveshjes së fundit me Serbinë. Pse?

Qeveria dha 40 milionë euro për rrymën në veri, pavarësisht marrëveshjes së fundit me Serbinë. Pse?

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 40 milionë euro për KOSTT-in, lidhur me rrymën në veri, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për Udhërrëfyesin për energjinë.

Ministrja Rizvanolli tha se në bazë të marrëveshjes, ekziston një afat për fillimin e zbatimit të marrëveshjes.

“Udhërrëfyesi për energjinë që bazohet në marrëveshjen e 2013 dhe konkluzionet e vitit 2015, parasheh një afat kohor për realizimin. Ky afat parasheh që realizimi të nis më 1 tetor 2022. Ne vazhdojmë të realizojmë marrëveshjen në pikat që varen nga ne si shtet. Mbetemi të obliguar, zotimin që kemi marrë ndaj ENSO-E për operimin në bllok me Shqipërinë, parashohin që Kosova ka përgjegjësi për rrjedhen e energjisë brenda kufijve të saj”, tha Rizvanolli, përcjell Periskopi.

Ndarjen e 40 milionëve, Rizvanolli e vlerësoi si vendimin më të rëndësishëm të Qeverisë sot.

“Një prej vendimeve më të rëndësishme është ai për ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT. Jemi në moment vendimtar për sektorin e energjisë dhe për shtetin marrëveshja e kyqjes së shtetit të Kosovës në ENTSO-E që është marrëveshje 2 vjecare me mundësi ripërtrirje është duke skaduar dhe 23 shtete që janë nënshkruese do të vendosin nëse do ta vazhdojnë marrëveshjen me Kosovën. Jemi në një gjendje ku gjatë vitit kemi shkaktuar imbalance të mëdha ndaj sistemit interkonjektiv”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pagesë në vlerë prej 40 milionë euro, për detyrimet që ndërlidhen me shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Ministri i financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka propozuar që të ndahen 40 milionë euro për ndërmarrjen KOSTT.

Ai ka thënë se 40 milionët po ndahen në mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me ENTSO-E, Rrjetin Evropian të Transmisionit dhe Tregut, dhe të respektohen obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

“Ndërmarrja KOST po kalon nëpër vështirshi financiare për shkak të obligimeve që ka ndaj ENTSO-së në mënyrë që të vazhdohet të jemi në të njëjtin bllok rregullues dhe të zbatohet marrëveshja që ka qenë për dy vite dhe tani është koha që të vazhdohet. Kërkesa ka qenë për mbështetej të ndërmarrjeve publike, aprovohet ndarja e 40 milion eurove”, ka thënë Murati

Kuvendi i Kosovës më parë kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, me ç’rast ishin ndarë 11 milionë euro./Periskopi/

Shpërndaje në: