Qeveria e quan spekulim lajmin se shuarja e Task Forcës ia vonon liberalizimin kosovarëve

Qeveria e quan spekulim lajmin se shuarja e Task Forcës ia vonon liberalizimin kosovarëve

Shuarja e Task Forcës anti Korrupsion ka bërë që ndërkombëtarët të kenë reagime të ashpra për Qeverinë e Kosovës.

Për këtë çështje është pyetur kryeministri Avdullah Hoti pas mbledhjes së Qeverisë.

Hoti është pyetur nëse kjo do të ketë pasoja negative edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Këtë gjë e ka quajtur krejtësisht spekulim kryeministri, madje, ai thotë se kjo do të kthejë ligjshmërinë në vend.

“Është krejtësisht spekulim i njerëzve që janë kundër vendimeve që vendosin ligjshmëri, nuk ka asnjë lidhje, përkundrazi keni me i pa edhe vendimet tjera edhe më të fuqishme në vendosjen e ligjshmërisë në çdo nivel, këto vendime hapin rrugën që më shpejtë të shkojmë drejt liberalizimit”, tha sot Hoti.

Ai ka folur edhe për dialogun, e deklarimet e zyrtarëve serb se dje është diskutuar edhe për Asociacionin në Bruksel i ka quajtur lajme të pavërteta.

“Dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke, çka deklarojnë zyrtarët serb unë nuk i marr fare seriozisht, bisedat janë bërë për çështje specifike për të cilat iu kemi njoftuar publikisht”, tha i pari i ekzekutivit.

Shpërndaje në: