Qeveria ia aprovon lejen për operim kompanisë së Wesley Clarkut

Qeveria ia aprovon lejen për operim kompanisë së Wesley Clarkut

Pas shumë vjetësh përpjekje, ka filluar të marrë rrugë plani i kompanisë Envidity që të realizojë planin e saj për investime shumëmilionëshe.

Kjo kompani ka mbetur me vite të tëra në pritje për të marrë një përgjigje nga institucionet e vendit në lidhje me prodhimin e naftës sintetike dhe të disa gazrave të tjera, duke shfrytëzuar thëngjillin, raporton KTV.

Pasi e njëjta u largua, zyrtarë të qeverisë së tanishme me muaj të tërë kishin bërë përpjekje që ta bindnin të kthehej për ta realizuar projektin.

Në mbledhjen e 25 gushtit të qeverisë është miratuar vendimi i Komitetit për Partneritet Publiko Privat për t’ia lëshuar licencën kompanisë në fjalë, si dhe të formohet të formohet një komision që do të merret më finalizimin e marrëveshjes, por vetëm pasi Kuvendi i Kosovës ta miratojë vendimin në fjalë.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ku është dashur të diskutohet vendimi i qeverisë, por që u shty në mungesë kuorumi nuk ka dashur të flasë për një proces të tillë pa dalë me qëndrime përfundimtare ky komision, në javën e ardhshme.

Në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë bërë të ditur se kompania ka dorëzuar 3 aplikacione më 2013 për hulumtim në 1/3-n e territorit të vendit, por të njëjtat janë anuluar në mungesë dokumentesh.

Kryetari i këtij komisioni, Ramiz Krasniqi ka thënë se ligji për miniera dhe minerale i jep të drejtën për licencë, por se nuk parashikon përpunimin e xehes pa pasur një leje nga qeveria.

Mirëpo, realizimi i këtij investimi ka ndarë në gjysmë opinionin. Shoqëria civile kundërshton një vendim të tillë duke thënë se kjo do të dëmtonte në masë të madhe ambientin dhe tokën e punueshme.

Ndërkaq, përfaqësues të bizneseve thonë se shfrytëzimi i resurseve të mëdha që ka Kosova do të ndikojë shumë në zhvillim dhe punësim.

Kohavision ka kërkuar detaje të kësaj marrëveshjeje nga Komiteti i Partneritet Publiko Privat që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, por se të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Envidity, pjesë e së cilës është edhe gjenerali amerikan Wesley Clark, nga viti 2012 kishte bërë kërkesë për të marrë licencën për shfrytëzim të thëngjillit në fillim në fushën e Dukagjinit.

Në letrën që në atë kohë ia kishte dërguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, drejtuesit e kësaj kompanie kishin thënë se planet e saj janë që kapaciteti i prodhimit të këtij produkti të arrijë deri në 2 milionë litra brenda një dite.

Me anë të këtyre investimeve nuk do të rrezikohej fare termocentrali Kosova e Re nga furnizimi me thëngjill.

Kompania i kishte ofruar Qeverisë së Kosovës, 30% të fitimeve nga fitimet e përgjithshme të saj, që i bie të jenë 1/5 e të ardhurave të qeverisë brenda një viti.

Brenda 6-7 vjetëve do të mund të ishte i gatshëm edhe sistemi i transportit të furnizimit me derivate për aeroplanë.

Realizimi i këtij investimi do të sillte mijëra vende pune dhe qindra të tjerë që do të angazhoheshin si nënkontraktues.

Teknologjia sipas projektit të kompanisë do të ishte tërësisht amerikane.

Në këtë letër, drejtuesit e kompanisë kishin kërkuar nga qeveria që të përshpejtonte dhënien e licencës në mënyrë që në pranverë të 2013-ës të nisnin shpimet.

Shpërndaje në: