Qeveria kursimtare: Pse Kurti krenohet me paratë që Kosova i ka tubë dhe qysh mund ta ndihmojë popullin me to?

Qeveria kursimtare: Pse Kurti krenohet me paratë që Kosova i ka tubë dhe qysh mund ta ndihmojë popullin me to?

Llogaritet që Kosova, i ka 700 milionë euro para që ‘i rrinë’. Dhe, ditëve të fundit, kur çmimet janë shtrenjtuar tej mase – duke rënduar kështu jetën e qytetarëve, një temë e rëndësishme që po diskutohet në studio televizive dhe jashtë tyre, është edhe ajo, se pse kjo qeveri është ose të paktën, krenohet se është kursimtare dhe a është mirë, që në situatë si kjo që ndodhemi, të jetë kaq kursimtare? Natyrisht, as ne si gazetarë këtu në Periskop, e besojmë as analistë e gazetarë nëpër studio televizive, me këtë, nuk nënkuptojmë harbim në shpenzimet e parasë publike. E çka po nënkuptojmë?

Në një bisedë të shkurtër që bëmë më Visar Ymerin, na e qartësoi pak më mirë këtë idenë e ‘qeverisë kursimtare’.

“Në përgjithësi dhe teorikisht, në kohë të inflacionit shumë të madh, qeveritë dhe bankat qendrore marrin masa që të reduktojnë sasinë e parave në treg, në mënyrë që kështu më ndiku në stabilizim të inflacionit. Për shembull, duke i mbledh tatimet e duke i kthy këto para në treg përmes pagave, skemave sociale e veçanërisht investimeve kapitale, kështu reduktohet sasia e parasë në treg”, filloi bisedën me Periskopin Ymeri dhe deri këtu, na shtyri të mendojmë që qenka mirë të jetë qeveria kursimtare edhe në kohë krizash.

Por, Visar Ymeri, ka një ‘por’, që na e rrëzon ngutinë e mendimit tonë më lart.

Ai thotë se ‘kursimtaria e tillë e qeverisë, sjell rëndesë ekomoike dhe sociale, duke elaboruar tutje kështu:

“Por kjo, vetëm terikisht, sepse ne jemi në një situatë inflacioni në rritje por që është kryesisht i importuar dhe kështu sasia e parave në treg ndikon në mënyrë shumë të kufizuar në stabilizimin e inflacionit, meqë nuk i ndikon aspak zhvillimet globale.  Kursimtaria e tillë e qeverisë, më shumë e ka problemin e shtrengesës, pra kursimin që redukton shërbimet publike në përgjithësi dhe sjell rëndesë ekonomike e sociale. Për shembull, duke i ndalë projektet kapitale, zhvleftëson bizneset vendore të cilat fillojnë me u mbyllë, që mes tjerash, shkakton papunësi dhe reduktim të të ardhurave për shoqërinë dhe qeverinë”, thotë Ymeri për Periskopin.

Para pak ditësh, teksa po dëgjoja një debat televiziv, gazetari Dukagjin Gorani foli për këtë çështje kështu:

“Obsesioni me kursimtari, një qeveri që gëzohet ose e përjeton si sukses faktin që kanë tubu, kanë akumulu para, kanë vjelë prej taksave dhe doganës, edhe përjetimi i asaj si një sukses i madh, përjetimi i kursimtarisë në parim është botëkuptim konservator”, tha Gorani në Pressing, përcjell Periskopi.

E qysh do të mund të futeshin në treg/ qarkullim këto para?

“Unë mendoj që këto pare duhet të kthehen në treg, por me një masë të shtuar kujdesi në sasinë që i kthen, veçanërisht në targetim të atyre kujt ua jep, jo nga 100 euro secilit. Kjo mund të bëhet në investime kapitale, që shpërndajnë rroga dhe në këtë mënyrë mirëmban punësimin, pastaj me transfere sociale familjeve që kanë më së shumti nevojë, kështu mirëmban kohezionin shoqëror”, tha Visar Ymeri në bisedë me Periskopin.

Për Dukagjin Goranin, që thotë se për aq sa merr vesh në ekonomi, ‘për aq sa mbishpenzimi i parasë publike është krim, po aq është edhe nënshpenzimi”.

Për aq sa mbishpenzimi, tejshpenzimi është vepër penale, është krim, aq më shumë është nënshpenzimi, sidomos në kohëra të krizës kur qeveritë nënshpenzojnë, mbesin në suficit, janë qeveri që duhet me i qitë në gjyq, meqenëse kursimtaria dhe ruajtja e parasë nga ana e qeverisë është tepër e dëmshme për një ekoonomi cçfare e kemi na dhe ku nuk ka shumë qarkullim të parasë edhe nuk ka shumë sektorë të fuqishëm privat edhe ku punëdhënësi më i madh është Qeveria”, tha Gorani, përcjell Periskopi.

Duke naviguar nëpër opinione rreth kësaj teme, ne gjetëm edhe një interpretim të njohësit të çështjeve politike, Fadil Hoxha, i cili po shkruan kështu:

“Profesori (nobelisti Paul) Krugman është kundërshtar i kursimeve qeveritare sepse në vend të “shtrëngimit të rripit” mendon se qeveritë, edhe në kohë krizash, duhet të shpenzojnë paranë publike sepse kontribuojnë direkt në kërkesën agregate e me këtë edhe rritjen ekonomike. Ekonomistët e mirë e dinë edhe efektin e multiplikatorit të PBV (prodhimi bruto vendor) kur ka shpenzime qeveritare. Natyrisht që nuk është fjala për shpenzime të kota qeveritare në blerjen e orendive për zyra, dreka e darka por për investime të ndryshme në projekte që zhvillojnë ekonominë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve”, shkruan ai./Dafina Demaku/Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: