Qeveria Kurti u ofroi veç subvencione, specializantët kundërshtojnë vendimin dhe paralajmërojnë protestë

Qeveria Kurti u ofroi veç subvencione, specializantët kundërshtojnë vendimin dhe paralajmërojnë protestë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ditës së djeshme vendosi  që t’i paguajë specializantët shëndetësorë deri në muajin gusht të këtij viti. Janë mbi 2 milionë euro që janë ndarë nga buxheti i Kosovës për këtë shkak, mirëpo Këshilli i Specializantëve nuk e ka mirëpritur aspak mirë…

Përgjatë vitit mbajtën greva e protesta, me qëllimin e vetëm që t’ju plotësohet një kërkesë me katër pika, ndër to që specializantëve t’ju ofrohet një pagë e rregullt. Mirëpo përkundër gjitha përpjekjeve, pasoi ky vendim i përsëritur i qeverisë që të vazhdohet veç me subvencione.

Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve të Kosovës, Arianit Zajmi në një deklaratë për Periskopin ka thënë se ky veprim i qeverisë ka qenë i pritur, mirëpo jo ajo çka kishin kërkuar me muaj e vite.

‘’Ne kemi kërku që me marr statusin të rregullt se kjo puna e vetfinancimit veç është ditë. Këta veç e kanë vazhdu se u kanë edhe më përpara. Arsyeja pse ne nuk pajtohemi është se këta që janë me vetfinancim nuk i marrin pagesat me rregull. Pastaj nuk paguhen kujdestaritë 24 orëshe hiç. Shtesa nuk marrin e as kurrgjë hiç. Ajo është si skemë sociale’’, ka thënë Zajmi për Periskopin’

Tutje ai ka treguar se sot veç kanë përsëritur kërkesën për takim tek ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ndonëse një i tillë nuk kishte ndodhur përkundër premtimit të tij.

Madje ai thotë se nëse edhe thirren në takim dhe nuk ka diçka konkrete, do të organizojnë protesta.

‘’Sot dy përfaqësues kanë shku në ministri me e dorëzu kërkesën’’. Nëse nuk na fton deri më datën 21 janar, por edhe nëse na fton në takim dhe nuk ka diçka konkrete,  atëherë ne kemi me vazhdu me protesta’’, theksoi Zajmi për Periskopin.

Kujtojmë që kërkesat e specializantëve të Kosovës janë si në vijim:

-Ndryshimi i statusit të specializantëve me vetëfinancim/subvencione

– Kërkojmë që ky grup i margjinalizuar i specializantëve të kenë statusin e specializantit të rregullt.

-Rregullimi i bazës ligjore për pagesën e kujdestarive për të gjithë specializantët, jo vetëm në njësitë   COVID-19 por edhe në klinikat përkatëse

– Të rregullohet me bazë ligjore pagesa e më shumë se dy kujdestarive potenciale duke përfshirë edhe kujdestaritë e vikendit.

-Hartimi i ligjit për paga

-Kërkojmë nga akteret relevantë që gjatë hartimit të ligjit për paga të gjithë specializantët të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme. Ne vazhdojmë të insistojmë që koeficienti i pagës për specializantë duhet të jetë vlerësues dhe meritor.

-Ndryshimi dhe përmirësimi i Udhëzimit Administrativ 05/2017

– Kërkojmë që udhëzimi adminsitrativ për specializantë të ndryshohet dhe të përshtatet sipas nevojave dhe kërkesave të institucioneve shëndetësore dhe specializantëve./PERISKOPI/

Shpërndaje në: