Qeveria merr vendim që Presidentja ta autorizojë Artane Rizvanollin për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në

Qeveria merr vendim që Presidentja ta autorizojë Artane Rizvanollin për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime. Njëri vendim është për autorizimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.

“Vendimi i miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).  Qeveria e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, me vendimin e parë është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: