Qeveria s’tregon se si mund të veprohet, njohësit shohin disa opsione për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Qeveria s’tregon se si mund të veprohet, njohësit shohin disa opsione për mbajtjen e zgjedhjeve në veri
Në mesin e tri kërkesave të shtruara nga udhëheqësit kryesorë evropianë është edhe ajo për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri. Njohësit e procesit zgjedhor thonë se ekzistojnë disa mundësi për mbajtjen e tyre. Por, nga Qeveria nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me opsionet në dispozicion për organizimin e tyre.Mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë, i është shtruar si kërkesë Kosovës nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian si mundësi për daljen nga situata aktuale.

Ajo është përmendur mes tri kërkesave që presidentes Vjosa Osmani ia paraqitën në Moldavi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kancelari gjerman, Olaf Scholz, në takimin bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Për organizimin e tyre njohës të procesit zgjedhor thanë se ekzistojnë dy mënyra -njëra nëpërmjet dorëheqjes me marrëveshje politike të kryetarëve të zgjedhur në votimet e 23 prillit dhe e dyta me anë të një kërkese të bërë nga votuesit në këto komuna.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se dorëheqjet e kryetarëve mund të mos garantojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, që edhe ishte një prej kërkesave të shtruara nga liderët evropianë.

“Në kuptimin politik mbase do të ishte më mirë të ndiqej kjo forma e demokracisë së drejtpërdrejtë për shkak se do të kishte edhe një lloj garancie që serbët do të marrin pjesë në proces zgjedhor. Pra, vetëm në rast se ata do të dilnin mbi 50 për qind në minireferendum do të mund të hapej rruga për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, problemi me këtë modalitët qëndron të kostoja e dyfishtë kohëzgjatja e dyfishtë”, tha Cakolli.

Shqyrtimi i kërkesës eventuale të serbëve për mbajtjen e zgjedhjeve është paralajmëruar edhe nga kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për KTV-në.

“Asnjëherë duke shkelur çfarë ligji apo rregullin në Kosovë është KQZ-ja, është zonja presidente, është Kuvendi i Republikës, është Qeveria. Si aktivist politik unë e paramendoj situatën, serbët do të dalin në protesta për zgjedhje të parakohshme, paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kenë një dëgjues të mirë prej kryeministrit të Kosovës”, tha Kurti.

E në përkrahje të kërkesës së liderëve evropianë doli të premten edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që e mban kryesimin e misionit të OSBE-së.

“I bashkohem thirrjes për zgjedhje të reja dhe rikthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, përfshirë asaj të fundit në Ohër. Si kryesues i OSBE-së e përkrah dialogun e udhëhequr nga BE-ja, si mënyrën e vetme për t’i ulur tensionet dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë. OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë”, deklaroi Osmani.

KOHA i ka adresuar pyetje Zyrës së Kryeministrit lidhur me çështjen, porse gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje.

Shpërndaje në: