Qeveria të lobojë tek shtetet anëtare të BE-së për liberalizim të vizave

Qeveria të lobojë tek shtetet anëtare të BE-së për liberalizim të vizave

Progresi në kuadër të dialogut është kyç sa i përket liberalizimit të vizave si dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, po vlerësojnë njohës të çështjeve politike në vend.

Edhe pse tashmë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian, sipas tyre Qeveria duhet ta ketë në fokus lobimin te shtetet anëtarë të BE-së, e te secila veç e veç.

Ata e kanë cilësuar si shumë të padrejtë situatën në të cilën gjendet Kosova sa i përket liberalizimit të vizave.

Drejtor i Institutit EPIK të Kosovës, Demush Shasha, po e sheh proces kyç progresin e dialogut, duke përfshirë në të edhe liberalizimin e vizave.

Sipas ish-sekretari të ministrisë për Integrim Evropian, nuk mund të pritet ndonjë mrekulli në kohë afat shkurtër, pasi që siç thotë ai zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe ato presidenciale në Serbi nuk mund të sjellin progres në këto procese.

“Progresi në kuadër të dialogut është kyç, qoftë sa i përket liberalizimit të vizave, qoftë sa i përket çështjes së marrjes së vendit kandidat, qoftë sa i përket avancimit tonë në organizatat siç janë Kombet e Bashkuara apo NATO. Prandaj rëndësia e tij nuk mund të mbivlerësohet, në këtë kontekst duhet të jemi optimist pasi që po shohim një bashkërendim çdo ditë e në rritje ndërmjet SHBA-së dhe BE-së. Nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli, në afat shkurtër pasi që edhe ne kemi zgjedhjet lokale, ndërsa në Serbi ato presidenciale, prandaj derisa të përfundojnë këto ciklet zgjedhore nuk duhet pritur, ndonjë progres, prandaj më shumë mund të pritet ndonjë progres në pjesën e fundit të vitit tjetër, ose në vitin 2023, më përpara nuk duhet pasur ndonjë pritje reale”.

Edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadriaj po e konsideron padrejtësi ndaj Kosovës, mosliberalizimin, derisa ka pasur edhe kritika për Qeverinë e vendit për shkarkimin e ambasadorëve.

“Është padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës dhe nga kjo qeveri me të gjitha skandalet diplomatike që po i bën në arenën ndërkombëtare në çështjen e punëve të jashtme, shkarkimi i ambasadorëve e ku shumë vende evropiane kanë mbetur pa përfaqësimin, sepse ata janë që lobojnë për anëtarësim të organizatave ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave duke mbrojtur të drejtën e Kosovës në çështjen e liberalizimi të vizave”.

Ajo ka theksuar se Kosova është vendi më pro-evropian e pro-amerikan, derisa shton se nuk ka arsye të jetë i izoluar.

Kadrijaj po kërkon nga Qeveria e vendit, që të fokusohet në lobim të vendet anëtare të BE-së.

“Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret, dhe është dashtë të kemi liberalizim të vizave. Është një e drejtë e Kosovës me kërkua që të kemi liberalizim të vizave sepse, është pakuptimtë sepse Kosova është vendi më pro-evropian dhe pro-amerikan, pra Evropa nuk ka të drejtë që ta mbajë Kosovën të izoluar”.

“Fokusimi i qeverisë tash, duhet të fokusohen në lobim të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian veç e veç, sepse Komisioni i Parlamentit Evropian ka dhënë shumë herë dritë jeshile është votuar më shumë se dy herë dhe tash është te vendet lobimi veç e veç”.

Edhe vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE-së në Këshillin Evropian, duhet ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prej muajit janar udhëheqjen e Këshillit e ka marrë Portugalia.

Ndërkohë, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen.

Shpërndaje në: