Qeveria vazhdon të blejë naftë më lirë se populli

Qeveria vazhdon të blejë naftë më lirë se populli

Çmimi i derivateve të naftës ka shënuar një rritje rekorde në Kosovë, menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Qytetarët po vazhdojnë të blejnë dukshëm më shtrenjtë naftën e benzinën në të njëjtat pika të karburanteve, se sa po e blejnë institucionet publike. Bile këto ditë, çmimi ka arritur kulmin, duke shënuar koston prej 1.73 euro për litër…

Gjatë muajit prill të këtij viti, shënjuesit e vendosur në pompat e derivateve kanë treguar se nafta kushton 1. 64 cent. Me këtë çmim janë furnizuar qytetarët, por jo  institucionet publike. Ato u furnizuan më lirë me të njëjtat derivate, prej të cilave shpenzojnë mijëra litra në ditë për automjete e për gjeneratorë.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – AQP ka të kontraktuara disa kompani për furnizim me derivate për institucionet publike, qendrore e lokale. Përgjatë prillit, institucionet qendrore u furnizuan me naftë në vlerë prej 1.56 euro në litër, dhe në vlerë prej 1.5 euro janë furnizuar institucionet publike -lokale. Benzina u ble 1.4 euro për institucionet qendrore e 1.3 euro për ato lokale.

Kështu figuron në dokumentin e AQK-së “Vendim për formimin e çmimeve për furnizim me Karburante për muajin Prill 2022”, të cilin e ka parë Periskopi.

Megjithëkëtë, AQP-ja kalkulimin e çmimit gjatë realizimit të kontratës e bënë duke u bazuar në çmimin mesatar mujor të berzës së Plattit CIF Med (Genova/Lavera), kursit mesatar mujor të Bankës Qendrore Evropiane dhe elementeve tjera fikse dhe variabile.

Kjo agjenci,  në javën e kaluar kishte hapur një tender për furnizim me naftë për institucionet qendrore, në një vlerë të parashikuar prej 14.1 milionë euro.

Oferta që po realizohet me procedurë të hapur është ndarë në katër pjesë:

Lot 1 – Furnizim me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës.

Lot 2 – Furnizim me karburante për vetura për nevojat e institucioneve publike të Nivelit Qendror.

Lot 3 – Furnizim me karburante për nevojat e FSK-së.

Lot 4 – Furnizim me karburante për nxehmje/gjenerator për nevojat e institucioneve publike të Nivelit Qendror.

Kontrata parashihet të lidhet për sasi, pasi që çmimi do të jetë variabil. Në përcaktimin e vlerës së parashikuar, për bazë është marrë çmimi i muajit mars 2022 duke i shtuar vlerën e parashikuar për Premium në shumën prej 0.08 euro/litër (kjo vlenë edhe për Naftë edhe për Benzin), që do të jetë bazë për vlerësimin e ofertave pasi që çdo ofertë e pranuar me Premium më të lartë se 0.08€/litër (kjo vlenë edhe për Naftë edhe për Benzin) do të konsiderohet si ofetë mbi vlerën e parashikuar dhe do të refuzohet. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: