Qindra projekte kapitale të lëna në gjysmë

Qindra projekte kapitale të lëna në gjysmë

Shumë projekte kapitale në vend kanë mbetur të papërfunduara. Në mesin e tyre është edhe Institucioni Parashkollor “Xixëllonjat” në kryeqytet. Arsye e mospunës është shtrenjtimi i çmimeve dhe kompanitë po refuzojnë t’i realizojnë kontratat e nënshkruara më herët. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se së shpejti do të nënshkruhet kontrata e re. Ndërkaq, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë thënë se janë të pritje që niveli qendror të ofrojë zgjidhje, shkruan Kanal10.

Dryni në dyert e institucionit parashkollor “Xixëllonjat”, në lagjen Pejton të kryeqytetit është vendosur një vit më parë, e oborri ka mbetur në këtë gjendje.

Por, ky është vetëm njëri nga shumë projekte në vend, që kanë mbetur në gjysmë, pasi kompanitë fituese të tenderit nuk po fillojnë punimet.

E shkak i kësaj është shtrenjtimi i materialit ndërtimor, për të cilat kompanitë po refuzojnë punimet, pasi në kontratat e tyre figuron çmim tjetër, krahasuar me çmimet aktuale.

Drejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Morina-Veseli, ka thënë se prindërit janë të interesuar që sa më parë të fillojë ndërtimi i objektit, pasi nuk ka qenë e planifikuar që të zgjaten kaq shumë.

E lidhur me këtë çështje nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se së shpejti do të nënshkruhet kontrata e re dhe do të fillojnë punimet.

“Po, është e vërtetë që kontrata është shkëputë për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të materialit ndërtimor. Prandaj është bërë shpallja e re. Besoj që shumë shpejtë do të nënshkruhet kontrata e re dhe të fillojnë punimet. Kemi mirëkuptimin e prindërve, por si DKA jemi të angazhuar që sa më shpejtë që është e mundur të bëjmë ndërtimin e objektit të ri sepse është tejet e nevojshme”, thotë Komuna e Prishtinës.

E me një situatë të tillë nuk ndodhet vetëm Prishtina, por edhe komunat e tjera.

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë thënë se për shkak të mos-kompletimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, rritjes enorme të çmimeve dhe inflacionit dyshifrorë, është bërë e pamundur përfundimi i punëve me kontratat paraprake të projekteve.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se i ka propozuar zgjidhje Qeverisë së Kosovës për të dal nga kjo situatë, por deri më tani nuk ka pasur sinjale pozitive.

Për këtë, Kanal10 ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës, por gjatë ditës Zyra për Media, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, muajve të fundit, shumë kryetar të komunave kanë shprehur shqetësimet e tyre pasi kjo po ndikon në mosrealizimin e premtimeve elektorale.

Shpërndaje në: