Qosja: Isa Mustafa ka urdhëruar vrasje të studentëve shqiptarë

Qosja: Isa Mustafa ka urdhëruar vrasje të studentëve shqiptarë

Rexhep Qosja, do të jetë sonte, i ftuar në emisionin Dritare, në Vizion Plus. Akademiku nga Kosova në emisionin e Rudina Xhungës ka folur edhe gjatë për situatën dëshpëruese të shqiptareve dhe veçon si lajm të mirë, reformën në drejtësi dhe angazhimin e veçantë të ambasadorit Lu, për të cilin Qosja shprehet me konsideratë të veçantë në Shqipëri.

Në të njejtën kohë Qosja ka folur edhe për situatën në Kosovë është njoftuar nga Emisioni Dritare, raporton Gazeta Blic.

Rexhep Qosja ka mendimin që lëvizja që ka nisur në Kosovë, si  një ballafaqim me vetveten, duke ndaluar te figura e Isa Mustafës që duhej të ishte në gjyq, sipas Qosjes, për krimet që ka urdhëruar, ku Akademiku veçon 30 studentët e vrarë në protestat e ’90 dhe  e paralelizon atë kohë me protestat e sotme, që kanë përballë po njësoj Isa Mustafën.

“Njerëz me merita të luftës, njerëz të UÇK-së po qërojnë hesape me veten, e padëshiruar, nuk e dëgjoj lehtë këtë, por aq më e lehtë është që ne të ballafaqohemi me ata që kanë punuar kundër këtij populli dikur,” shprehet Rexhep Qosja.

“Qeveria me të cilën ka qenë ky Isa Mustafa, ka urdhëruar të shuajë demonstratat e studentëve në vitin ’89 dhe në fillim të ’90-ës, ku herën e dytë janë vrarë  30 studente e 70 të tjerë janë plagosur. Kjo është statistika që kanë dhënë zyrtarët e jo unë, e vërteta mund të jetë shumë më tragjike. Në një shtet historik, me përvojë historike, me tradita shtetërore, njerëz të tillë në kushte të tjera do të nxirreshin në gjyq, për krimin që kanë bërë. Kanë vrarë të rinjtë që kanë protestuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Asnjë prej atyre që kanë qenë në qeveri nuk shihen më. Unë them se aty ka pasur edhe njerëz të mirë, siç thotë populli, i ka zënë taksirati dhe janë skajuar, disa prej tyre kanë shkuar të jetojnë jashtë. Ky vjen tani e na sundon me metoda që po i shohim çfarë janë, me dhunë, me presione që janë politike e psikologjike mbi njerëzit. Ne përjetojmë sot një terror psikologjik, si dikur. Prej një viti e ca ne jetojmë me një krizë politike dhe institucionale, me pasoja të ndryshme ekonomike, shoqërore, etj. Këto pasoja janë të një terrori psikologjik e cila ka filluar me ardhjen e këtij njeriu në pushtet dhe me aleancën që krijoi ky me PDK-në”, ka thënë Qosja. /Gazeta Blic/

 

 

Shpërndaje në: