Quinti kërkon sqarim për arrestimin e aktivistëve të VV-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e Quintit, të cilëve u ka dhënë sqarime edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për gjendjen e tensionuar tashmë.
Veseli para ambasadorëve ka thënë se qytetarëve të Kosovës nuk u ndryshohet orientimi politik përmes akteve të dhunës duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilës sot në mënyrë dramatike iu arrestuan 6 aktivistë për sulmet e fundit me bomba ndaj institucioneve.
“Gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të Quintit, ritheksova përkushtimin tonë institucional, për rrugën drejt integrimit euroatlantik. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj, janë të sigurt dhe nuk lejojnë që përmes dhunës t’ju ndryshohet orientimi i tyre politik. Demarkacioni dhe temat tjera me rëndësi për Kosovën, do të trajtohen në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të procedurave demokratike. Vullneti ynë për të ecur përpara, është i pacenueshëm. Jemi falënderues ndaj miqve që na ndihmojnë në këtë rrugëtim”, ka thënë kryetari Veseli.
Gjatë takimit, sipas Veselit, ambasadorët e vendeve të Quintit e kanë konfirmuar edhe njëherë mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe institucionet në punën e tyre, duke i dhënë mbështetje të gjitha proceseve demokratike në përmbushjen e agjendës politike për zhvillimin e vendit dhe integrimit në institucionet veri atlantike. /Periskopi/



