Qysh duhet me u dënu Shefqet Krasniqi për seksizëm?

Qysh duhet me u dënu Shefqet Krasniqi për seksizëm?

Një hoxhë i njohur shprehu qëndrime seksiste në një emision debatues. Ai tha pak a shumë që “gruaja e ka vendin në kuzhinë, e burri në odë”. Dhe, rrjeti social Facebook gjëmoi në protestë kundër kësaj ndarjeje territoresh në baza gjinore. Një gjëmim, absurditetin dhe realitetin e të cilit duhet me e trajtu fort seriozisht.

Unë nuk besoj aspak që dikush ka pritë prej të pandehurit, Shefqet Krasniqi, me shpreh qëndrime feministe. Unë nuk besoj aspak që dikush, kushdo, pret prej një hoxhe, cilitdo hoxhë, që me shpreh qëndrime feministe.

Po e them troç atë që e dimë të gjithë: feja islame, ashtu si dy fetë tjera abrahamike, është qysh në thelb seksiste parë prej cilësdo perspektivë feministe. E matanë këtij thelbi, nëse mund të dilet matanë thelbit, gjallon një histori e gjatë dhe tmerruese e shtypjes së grave. Një shtypje e bërë bash prej çdo sekti e bash ndaj çdo gruaje.

Prandaj, me reagu ndaj një deklarate të caktuar seksiste të një hoxhe nënkupton fillimisht me e mbulu seksizmin blatant që përfaqëson vetë ekzistenca e hoxhës dhe e fesë. Sidomos në vendin tonë.

Por, ka diçka shumë më të rëndësishme. Është një formë specifike e këtij reagimi që po dënon thjesht praninë e hoxhës në debatin publik.

Ky reagim specifik na kallëzon së pari ‘marshin automatik’ në të cilin është vendos feminizmi kosovar në rrjetet sociale. Duke shfrytëzuar papërcaktueshmërinë gati të plotë teorike, e për rrjedhë edhe ideologjike, ky feminizëm në kërkesën për mobilizim bëhet pseudo-feminizëm, e si i tillë tepër i adoptueshëm dhe tepër fleksibil – siç nuk ekziston tjetërkund pos Kosovës.

Dhe pikërisht ky mobilizim na çon në karakterin e tij ekskluziv e jopolitik [jostrategjik].

Unë nuk njoh ndonjë feministe apo feminist që nuk ka mbetje seksiste. Bile, sa më shumë të ketë lexuar në fushën e studimeve gjinore, aq më të vetëdijshëm janë për ato mbetje. Ta zëmë, shumica prej nesh ende mbiemërohemi me emrat e familjes së babait, veç të babait, e jo edhe të nënës. Dhe s’ka as kërkesë që kjo të ndryshojë. Disa prej nesh, gra, i shtojnë ende mbiemrit të tyre edhe atë të burrit derisa kjo nuk ndodh me burrat. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi me nacionalizmin toksik shqiptar dhe kemi kontestuar figura historike seksiste. Përkundrazi, ne vazhdojmë t’i himnizojmë ato. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi për himnin shqiptar që ka gjuhë eksplicite seksiste.

Pra, ne nuk jemi puritanë në feminizëm. E as nuk mund të jemi duke marrë parasysh ngushtësinë e gjuhës. Por, është e rëndësishme të kemi qëndrime radikale. Dhe, të kesh qëndrime radikale nuk nënkupton domosdo t’i shprehësh ato me metoda radikale. Të kesh qëndrime radikale, në varësi të vetë qëndrimeve natyrisht, nënkupton t’i kuptosh ato prej rrënjës së tyre. Të mos jesh laraman.

Pra, ne duhet të jemi radikalë e qartë të përcaktuar në atë që besojmë – e njëkohshëm edhe pranues ndaj atyre që kanë bindje tjera. Pranues, para së gjithash, sepse përveç që nuk i dimë aq mirë rrënjët e bindjeve tona feministe, ende po mësojmë gjëra elementare.

Dhe, duke qenë në këtë marsh automatik reagues tepër përjashtues, kjo na çon drejt kërkesës aktualisht absurde për hoxhallarë feministë. Një kërkesë që e çkuptimëson angazhimin e deritashëm për zgjerim të fushës së luftës për barazi.

Duhet me e kuptu që jemi të kurthuar brenda një gjuhe e një politike gjuhësore që duhet me u ndërru. Me plot ofshama, sharje, fraza, emra, fjalë, togfjalësha, nënkuptime e parakuptime seksiste. Dhe, meqë gjuha është ndodhi shoqërore, që ekziston vetëm duke qenë e përbashkët, e prandaj e kuptueshme, seksizmit është e zorshme t’i shpëtojmë. Dhe pikërisht kjo fushë duhet zgjeruar me urgjencë.

Në intervistën e hoxhës Krasniqi unë nuk u befasova nga ndarja në baza gjinore që i bëri hapësirës. Në fakt, ajo që më befasoi është se ky hoxhë – me të drejtë – denoncoi pikërisht diskriminimin e grave në kanunin e Lekë Dukagjinit. Edhe kjo na tregon që metodat radikale e përjashtuese që shprehin qëndrime laramane e të papërcaktuara duhet me u ndërru. Në vend të përjashtimit – që potencialisht mund të prodhojë edhe kundër-reagim të madh e të fuqishëm ose thjesht vetizolim në hapësirat ‘private’ të diskutimit – do të duhej promovuar gjithëpërfshirja dhe përballja.

Shoqëria jonë është qartazi e ndarë në dy grupe. Në konservatorë dhe në liberalë. Konservatorët, ani pse shumicë dërrmuese, kanë një përfshirje tepër të vogël në sferën publike. E liberalët, edhe pse pakicë dërrmuese, kanë përfshirjen dominante. Kjo pashmangshëm prodhon ndjesi të represionit e më pas edhe dezintegrimit te pjesa konservatore e shoqërisë.

Emancipimi – besoj është e qartë për secilin – në vende kapitaliste derdhet njësoj si vetë kapitali: vertikalisht, prej lart poshtë. Përgjithësisht, janë njerëzit të cilët kanë më shumë pasuri e mundësi që marrin arsimim më cilësor e qasje më të madhe në këtë ‘produkt’. Prandaj, qasja përjashtuese përveç që në mënyrë direkte sulmon pjesën më të lëndueshme edhe ekonomikisht të shoqërisë, gra e burra bashkë, ajo kufizon vrazhdë edhe hapësirën për emancipim ndaj këtyre njerëzve.

Prandaj, dënimi i seksizmit të hoxhallarëve nuk duhet bërë nga lëngimi për t’i zgjatur jetën laramanisë tonë gërditëse. Që në një anë të kemi feminizëm në publik, dhe seksizëm të tolerueshëm në hapësirat private. Hoxhallarët duhet të dënohen nga lëngimi për emancipim të gjithmbarshëm shoqëror. Dënimi duhet të jetë në atë mënyrë që hoxhë Shefqet Krasniqi nga denocnimi i Kanunit të kalojë – me të njëjtat parime – edhe te denoncimi i praktikave islame, e edhe te denoncimi i vetes së tij.

Secili, sado i varfër qoftë, ka të drejtë të ketë qasje në emancipim.

Shpërndaje në: