“Qytetarët kuptuan kurdisjet e PDK-së, andaj ‘tradhtuan’ Lladrovcin”
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, nuk ka arritur që në rundin e parë të zgjidhet kryetar i Drenasit. Në Drenas votuan vetëm 40 për qind të të regjistruarve dhe kjo do të thotë se edhe mbi 60 për qind që nuk dolën në zgjedhje, ia kthyen shpinën PDK-së.
Kjo është hera e parë që nga paslufta që zgjedhja e kryetarit të Drenasit do të përcaktohet në raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi që PDK-ja në vazhdimësi kishte siguruar fitore bindëse pa u detyruar të shkojë në balotazh. Lladrovci do të detyrohet që edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve të garojë me Isa Xhemajlajn e “Nismës për Kosovën”. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 kandidati i PDK-së, ish-kryetari Nexhat Demaku, i cili kishte fituar rreth 64 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës Lladrovci ka fituar rreth 45 për qind të votave apo 19 për qind më pak se në zgjedhjet paraprake.
Njohësit e çështjeve politike kanë pohuar se qytetarët e Drenasit nuk e duan Ramiz Lladrovcin, për shkak të përfshirjes së tij në listën e zezë të SHBA-së.
Sipas tyre, Drenasi ka vendosur që përfundimisht ta zgjedhë një kryetar që nuk ka probleme me Ligjin, dhe kjo është një reflektim i mirë që edhe qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen që t’i thyejnë barrierat partiake, për ta votuar me të mirin.
Drenasi ka qenë bastion i PDK-së, që nga paslufta
Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi ka pohuar se Drenasi ka qenë bastion i PDK-së, që nga pas lufta, mirëpo edhe këtu u thye heshtja, kur PDK-ja ishte e bindur së do të fitojë bindshëm zgjedhjet, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, ku qytetaret i thanë jo Lladrovcit.
Ai ka pohuar se qytetarët e Drenicës tani janë vetëdijesuar për arsye se nuk pranuan që të udhëhiqen nga një kryetar i cili duket si sundimtar (Monark), ku pasuria e tij milionëshe nuk dihet nga ka ardhur, gjithashtu Lladrovci është edhe në listën e Zezë të SHBA-ve, dhe mbi të gjitha nuk gëzon njohuri të udhëheqë një komunë.
“Balotazhi pritet të mbahet më datën 18 janar, ku kandidatet do të jenë z. Lladrovci nga PDK-ja dhe z. Xhemajli nga Nisma për Kosovën, ku do të jetë një garë tepër interesante në mes të dy ish partiakëve, sepse deri në këto zgjedhje Drenasi së ka shikuar kandidatin por partinë, mirëpo kanë filluar edhe qytetarët t’i hapin sytë, të mos votojnë statuja ashtu siç ka ndodhur deri me tani. Drenasi ka vendosur që përfundimisht ta zgjedhë një kryetar që nuk ka probleme me ligjin dhe kjo është një reflektim i mirë që edhe qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen që t’i thyejnë barrierat partiake, për ta votuar më të mirin”, ka thënë Krasniqi për gazetën Bota sot.



