Qytetarët shprehen të shqetësuar për variantin e ri të Covid-19, bëjnë apel për vaksinim

Periskopi.com Lajme

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin e ri të Covid-19, ose siç njihet ndryshe Omicron, ndonëse në shumë shtetet po raportohet për dyfishim të numrit të të infektuarve.

Përkundër që ende nuk është regjistruar ndonjë rast me këtë variant në vend, qytetarët shprehen të shqetësuar për përhapjen e tij.

Bekim Brestovci është shprehur se ka marrë shumë informacione sa i përket virusit.

Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.

“Po kemi dëgjuar natyrisht sepse ka qenë veç në media. Frika është permanente prej që është shfaq edhe Covidi. Natyrisht kemi shumë raste vdekshmërie që kemi pas nga Covid, andaj mendohet që edhe ky nuk do të jetë një virus i cili do të përballohet lehtë dhe do të kaloj pa viktima në njerëz. Apeli im kish me qenë te të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar gjer më tani le të vaksinohen kundër Covid-19. Pastaj shohim se çfarë po preferohet edhe kundër virusit të ri, i cili veç e ka marrë përmasën në shumë shtete të Evropës”, shtoi ai.

Beqir Aliu ka kërkuar vaksinim masiv duke shtuar se nëse deri më tani në botë vaksinë e kanë marrë 4 miliardë njerëz, pse nuk duhet që ta marrim edhe ne.

“Na u bënë boll këto far lloje të viruseve. Jo nuk frikohem aspak, vaksinat i kemi marr. Kisha apeluar që të vaksinohen. Të gjithë le të vaksinohen. Për shembull pare ka erdhëm rrugës biseduam, kur janë vaksinuar diku afër 4 miliardë njerëz në botë, kush jem na me gjet kirifekte jo bën jo nuk bën”, tha ai.

Anita Zhegrova, ka kërkuar që vaksinimi të bëhet i obligueshëm për të gjithë pa përjashtim, për shkak të  mundësisë së përhapjes së shpejt të varianti të ri të virusit, raporton EO.

“Po kom dëgjuar, kam dëgjuar që është më i rrezikshëm edhe po shpërndahet shumë ma shpejt se sa variantet që kanë qenë më herët. Kom dëgjuar po unë jam vaksinuar shumë herët, shpresoj që nuk ka njerëz më që dyshojnë te vaksina edhe e bëjnë sa më shpejtë, për arsye se kjo nuk ta fal. Unë e kam pas vet tash një vit domethënë koronën. Kam heq kogja shumë edhe nuk është hajgare domethënë duhesh me e ruajt veten rrethin edhe shoqëri nëse duam me kanë qysh jena kanë ma herët përndryshe është shumë i rrezikshëm”, shtoi ajo.

Rastet e variantit të ri deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.