Qytetari i Ri shqiptar

Qytetari i Ri shqiptar

Individi, rrethanat e formimit dhe ndryshimit të tij social, kanë pasur një vëmendje të veçantë në shkencat sociale meqë përmes qytetarit si agjent shoqëror janë deshifruar dhe shpjeguar një numër procesesh makrosociale. Ka shoqëri që formon qytetarin, në formulimin e Dyrkhemit, por ka edhe qytetar që formon shoqërinë, në formulimet e teorive marksiste, dhe jo vetëm. Kjo na nevojitet vetëm sa për ta vënë në pah debatin e hershëm rreth ndikimit dhe rëndësisë së raportit individ-shoqëri, dhe jo për ta shpjeguar ndonjë përfundim rreth zgjidhjes së këtij raporti.

Kësaj rradhe, ne nuk do të kërkojmë gjenealogjinë e ‘qytetarit shqiptar’, por do të ndalemi vetëm në ndryshimin socio-kulturor të ‘qytetarit shqiptar’, që ka pësuar ndër vite dhe të potencialit të tij për ta ndërtuar ‘Qytetarin e Ri’, si një kërkesë sociale dhe politike e kohës, para se të jetë njëkohësisht edhe një kërkesë përfundimtare e filozofisë për Njeriun si të tillë.

Ndryshimi social në Kosovë është prekur. Lufta, jo vetëm si një ngjarje historike, por para se gjithash si kufiri që ndanë neofeudalizimin shoqëror me kapitalizmin në ngritje e sipër, regjimin e Serbisë me pavarësimin shtetëror të Kosovës, dominimin e ideologjive trandicionale dhe religjioze me idetë perendimore shoqëror, lufta pra si ndarje e tillë procesesh sociale dhe politike në vend, është dëshmia e qartë se ndryshimi social në vend është prekur dhe se ai vazhdon përpara pavarësisht intenzitetit dhe turbulencave që e shoqërojnë atë.

Sot më shumë se kurrë më parë kemi një numër të madh organizatash, ligjesh, mediash dhe grupe tjera interesi që promovojnë dhe legjitimojnë idetë perendimore, idetë që kanë vendosur në horizont ‘Qytetarin e Ri’ në vendin tonë, idetë që njihen si e arritura më e lartë historike e mendjes njerëzore, idetë të cilat pavarësisht se tek ne ende në ngjizje, rrëzikojnë të humbin terren.

‘Qytetarin e Ri’, perendimor, të lirë dhe mendjehapur, e kanë zënë gërmadhat sociale të ndryshkut provinicial, dhe ato politike si kontrabandues shpresash dhe ëndrrash qytetarësh. Rrethanat sociale dhe ato ekonomike të krijuara në njëzet vite paslufte pamundësojnë formimin e qytetarit tonë të ri. Ai është produkt i rrethanave ku demokratizimi nuk është thjeshtë institucional por gjithashtu edhe shoqëror, ku zhvillimi ekonomik është i hovshëm, ku institucionet shoqërore si familja dhe fisi tejkalohen, ku urbanizimi dominon mbi fshatarësinë, ku industrializmi dominon sistemin bujqësor.

Nevojitet një vizion i ri për Kosovën. Vizioni makropolitik i Kosovës së lirë dhe të pavarur është tejkaluar. Ai de facto është nën rrënoja pavarësisht se pjesë e ligjërimit ditor politik. Ai duhet të zëvendësohet me vizionin në rrafshin mikrosocial të vlerave perendimore, të respektimit të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të formësimit të qytetarëve të rinj, të lirë dhe mendjehapur.

Qytetari i Ri, ngjizja e të cilit nuk filloi nga sistemi arsimor- në mënyrë që të jetë i krejtësisht i njëmend dhe i qëndrueshëm- ka disa rreziqe përpara. Rrëziku i parë i madh është keq-qeverisja në vend, sepse në mungesë të krijimit të kushteve të mirëfillta socio-ekonomike, do të pasojë kriza e ideve perendimore si shkak i pamundësisë së kontekstualizimit të tyre, apo thënë më thjeshtë, vështirë të preokupohet mendja për lirinë dhe të drejtën e tjetrit kur ka mungesë ushqimi në shtëpi. Rreziku i dytë i madh është gjetja e zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë përmes ndonjë kantonizimi, i cili do ta mirëmbante frymën ultranacionalistë në vend. Stabiliteti i brishtë, i siguruar nga institucione politike ndërkombëtare në Bosnje Hercegovinë si dhe ai në Maqedoninë Veriore, është dëshmi e argumentimit tonë. Teksa rreziku i tretë lidhet me depërtimin e trendeve rajonale dhe ndërkombëtare meqë fryma e populizmit nacionalist, rritja e sistemeve autokratike në vendet fqinje dhe përgjithësisht në rajon, rikthimi i ideve të izolimit, kanë dëmtuar tregimin perendimor për shoqërinë e lirë dhe të hapur, për ‘Qytetarin e Ri’.

Konzervatorizmi në vend- i shprehur në shumë forma me trajtimin ndaj komuniteteve pakicë- bartja e traumave kolektive nga regjimi jugosllav, organizimi shoqëror primitiv si dhe përjetimet e luftës, të kombinuar me një sistem të dobët arsimor e kanë ulur potencialin për ndryshimin e qytetarit nën rrethana tashmë të reja. Shkenca njeriun nuk e ka shpjeguar thjeshtë si një plastelinë e cila ndryshon formën dhe përmbajtjen pavarësisht të kaluarës, përkundrazi, e kaluara e tij dhe rrethanat dominuese janë përcaktuese në formimin dhe sjelljen e tij, prandaj në shkenca sociale ekziston edhe ‘kushti i pamundësisë’. Në këtë kontekst, shpresa e vetme apo hapësira për ndërhyrje gjendet vetëm tek një ‘intervenim kardinal’ në sistemin arsimor, ku një reformë cilësore potenciale do ta trasonte rrugën për formësimin e Qytetarit të Ri.

Shpërndaje në: