Qyteti bërthamor i Armenisë siguron 40% të rrymës, por shkaku i tërmeteve rrezikon botën

Periskopi.com Galeria

Artikull i përkthyer nga Periskopi

Metsamori është përshkruar si një prej impianteve më të rrezikshme nukleare në botë shkaku i lokacionit të saj në një zonë tërmetesh të fuqishme.

Është veç 35 kilometra larg nga kryeqyteti i Armenisë, Jerevani [Yerevan], dhe e rrokë pamjen e malit të famshëm Ararat përgjatë kufirit me Turqinë.

Impianti u ndërtua në të njëjtën kohë si Çernobili [Chernobyl], diku në vitet ’70. Në atë vakt, reaktori i Metsamorit prodhonte energji për nevojat në shtip e sipër të Bashkimit Sovjetik me territor të pamatë, që dikur kishte mësymje që të gjeneronte 60% të elektricitetit nga fuqia nukleare deri në vitin 2000.

Por, në vitin 1988 gjithçka ndryshoi; Tërmeti 6,8 shkallësh me emrin Spitak e shkatërroi Armeninë, duke i vrarë 25 mijë njerëz. Impianti i fuqisë nukleare menjëherë u mbyll shkaku i shqetësimeve për sigurinë. Shumica e punëtorëve u rikthyen në shtëpitë e tyre në Poloni, Ukrainë dhe Rusi.

Tridhjetë vjet më pas, impianti i Metsamorit dhe e ardhmja e tij mbeten një temë e nxehtë dhe që e përçan Armeninë. Një prej reaktorëve të tij rinisi punën në vitin 1995 dhe tashmë gjeneron 40% të nevojave energjetike të këtij vendi. Kritikët argumentojnë se vend-ndodhja mbetet ekstremisht e rrezikuar nga tërmetet shkaku i aktivitetit të lartë sizmik. Mbështetësit, sidoqoftë, përfshirë edhe zyrtarët qeveritarë, thonë se fillimisht ai u ndërtua në një bllok bazalti dhe me të tjera modifikime do ta bëjnë më të sigurt.

E megjithatë ndërsa grindja vazhdon të jetë e nxehtë, jeta vazhdon për ata që punojnë e jetojnë në afërsi të qytetit me të njëjtin emër si impianti.

Ky qytet model sovjetik, ose siç njihet ndryshe atomograd, ishte ndërtuar në atë mënyrë që t’i tërhiqte punëtorët e kualifikuar nga e gjithë BRSS-ja, prej Baltikut e deri në Kazakistan. Ishte planifikuar për 36 mijë banorë me një liqen artificial, hapësira sportive dhe një qendër kulturore. Gjatë kohës sa lulëzonte thashethemet për cilësinë e lartë të gjalpës e mbërritën Jerevanin.

Tërmeti e kishte ndërprerë zhvillimin e mëtejmë të këtij qyteti. Por as popullsia nuk mbeti statike. Të njëjtin vit me tërmetin banorët vendës u bashkuan me refugjatët që iknin nga Azerbaixhani shkaku i konfliktit në territorin e kontestuar të Nagorno-Karabakhut. Në vitin e parë të atij konflikti mbi 450 njerëz u strehuan në fjetoret boshe të Metsamorit. Ata njerëz u vendosën aty dhe tash jetojnë në shtëpi të ndërtuara vetë.

Qeveria armene ishte përballur me krizë energjetike pas mbylljes së impiantit dhe ishte detyruar të reduktonte furnizimin me rrymë të vendit në vetëm 1 orë në ditë. Kështu vazhdoi deri në vitin 1993 kur u mor vendimi për rinisjen e një reaktorit. Ky reaktor mbetet aktiv por i vyen rinovimi.

Sot Metsamori i ka 10 mijë banorë. Në blloqet e banesave 5 kilometra larg prej kullave ftohëse të impiantit, njerëzit peshojnë brengën mbi mungesën e energjisë me atë të rrezikut që përbën impianti. “Vitet e zeza të mungesës së rrymës janë tepër të forta në mendjet e njerëzve,” thotë Katarina Roters, fotografe.

Nga viti 1991 deri më 1994 ky vend vuajti një krizë energjetike ku kishte periudha të gjata kur e gjithë popullsia s’kishte fare rrymë.

Disa prej banorëve janë thellësisht nostalgjikë për statusin e privilegjuar që kishte dikur atomogradi i tyre.

Kjo ndjesi krenarie për qytetin ishte ajo që kishte në mendje arkitekti Martin Mikaeljan [Mikaelyan] kur e bëri planin e tij ambicioz e idiosinkratik për qytetin. Ishte konsideruar nder që të zgjidheshe si nikoqir i atij impianti, dhe ende ka ndjenjë krenarie për Metsamorin.

Qiraja mujore është e ulët, mes 25 dhe 50 Eurove për një banesë me 95 metra katrorë. /BBC/Periskopi

Shpërndaje në: