Rakiq: Radoiçiq është autoriteti më i madh për serbët e Kosovës, ishte me ta kur u vendosën barrikadat

Rakiq: Radoiçiq është autoriteti më i madh për serbët e Kosovës, ishte me ta kur u vendosën barrikadat

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se nënkryetari i partisë së tij, Milan Radoiçiq, ka autoritetin më të madh në mesin e serbëve të Kosovës dhe për këtë ai është “gjembi në këmbë për Prishtinën”.

Këto deklarata, Rakiq i ka bërë për gazetën Politika.

“Radoiçiq ka autoritetin më të madh të padiskutueshëm për serbët në këtë zonë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimeve të tij serioze politike, ndër të cilat më i rëndësishmi është uniteti i popullit serb, veçanërisht në kuptimin politik, unitet ky që u pa për herë të parë që nga konflikti i vitit 1999”, tha Rakiq.

Rakiq konfirmoi se Radoiçiq ishte prezent kur u vendosën barrikadat, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa dhe dokumente.

Rakiq tutje tha se ata që punojnë kundër interesave të popullit serb besojnë se “duke e eliminuar atë do ta shkatërronin atë unitet” dhe se forca e autoritetit të tij u pa më së miri në natën kur serbët vendosën bllokada dhe Radoiçiq siç tha Rakiq ishte me ta dhe i “mbushi me forcë, por edhe me qetësi”.

Rakiq ka theksuar se situata në veri tani është e qetë, por se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në qeverinë e të cilit Rakiq është ministër, janë kundër dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Ai ka akuzuar qeverinë e Prishtinës se duke rritur tensionet e largon vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale, rrezikon stabilitetin dhe nxit tensione.

Shpërndaje në: