Rama: Argumentova fortë dhe saktë, Kosova të përfshihet në këtë program të NATO-s

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë për media pas përfundimit të Samitit të NATO-së që është mbajtur në Madrid të Spanjës.

Rama ka thënë se në Samit ka kërkuar që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Ai ka thënë se është e udhës që NATO të kuptojë që nuk është një kohë e zakonshme, dhe në këtë kohë të jashtëzakonshme duhet të merren edhe veprime të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe të vendimmarrjes.

“Kërkuam që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe, gjë që i pararend anëtarësimit në NATO. Kemi dhënë besoj unë të gjithë argumentet përkatëse dhe është e udhës që gjithë aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si një kohë e jashtëzakonshme kërkon edhe akte të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe aspektin e vendimmarrjes”, ka thënë Rama në konferencë.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se këto fakte i ka theksuar fort dhe saktë, meqë Kosova ka treguar maturi si shtet në raport me detyrimet e saj ndaj familjes së madhe, edhe përkundër faktit që nuk njihet nga Ukraina.

“Kosova pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, këtë gjë e kam theksuar shumë fort, kam mbajtur një qëndrim të saktë dhe qartë, duke treguar një maturi të rëndësishme si shtet në raport me detyrimet ndaj gjithë familjes së madhe që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj”, ka vazhduar tutje.