Rama: Ballkani i Hapur debat mes meje dhe Albinit, shqiponja me dy koka nuk kapet në befasi

Rama: Ballkani i Hapur debat mes meje dhe Albinit, shqiponja me dy koka nuk kapet në befasi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot se dallimet me Kosovën për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nuk përbëjnë asnjë pengesë për thellimin e bashkëpunimit. Derisa raportet mes dy vendeve i paraqiti përmes shqiponjës me ky krerë.

Në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët, Rama tha se mendimet e tij për dialogun Kosovë-Serbi nuk kanë ndryshuar dhe se janë të njëjtat që ka deklaruar më Beograd para 6 vjetëve, kur pati thënë se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe këtë pavarësi duhet ta njohë dhe Serbia.

 “(Për dialogun) është i njëjti mendim qysh jam shprehur në Beograd, në këtë pikë s’ka dilemë. Sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’ kemi dy qasje, qëndrime të ndryshme. Nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen për faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, po kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat, për të bërë së bashku gjërat e duhura, në funksion të të ardhmes të dy vendeve tona”, tha ai.

Duke thënë se opinionet e ndryshme për “Ballkanin e Hapur” nuk përbëjnë asnjë pengesë në fuqizimin e marrëdhënieve, Rama raportet me Kosovën i paraqiti figurativisht përmes shqiponjës me dy koka.

 “Më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka është një trup i vetëm, ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt. Kjo do të thotë shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360. Mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë ose nga ana tjetër, pasi i kontrollon me sy të dyja anët. Asnjë shqetësim për këtë. Mendoj që është një vlerë e shtuar që jemi një shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi një shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten, më shumë sesa, sot që nuk e kemi këtë luks, as këtë qëllim”, tha Rama.

Megjithatë, Rama shtoi se çështja e “Ballkanit të Hapur” mbetet e hapur mes tij dhe kryeministrit Kurti.

Për “Ballkanin e Hapur” është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenë të mbyllura se pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk përmendi fare iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, por tha se në takimin e mbledhjes së dy qeverive nuk është përmendur fare Serbia.

 “Edhe takimin që kemi pasur para dy muajve në Prishtinë edhe mbledhja e sotme e dëshmoi se është e mundur që Kosova dhe Shqipëria të diskutojnë dhe pamenduar dhe papërmendur fqinjin verior të Kosovës. Duhet të kemi një vlerësim edhe për këtë aspekt, pasi edhe jemi dy shtete të pavarura, por në të njëjtën kohë nuk ka nevojë sesa herë bashkëveprojmë të përmendim fqinjin verior të Kosovës”, tha ai.

 

Shpërndaje në: