Rama merr Raportin e Progresit: KE konfirmon bindjen, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet

Rama merr Raportin e Progresit: KE konfirmon bindjen, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka marrë nga ambasadori i BE-së Luigi Soreca këtë të mërkurë Raportin e Progresit të Komisionit Europian për ecurinë në rrugën e integrimit.

Rama theksoi se komisioni konfirmon bindjen e vetë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. Ai u shpreh se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të përputhjes me standardet e OSBE-së dhe se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe.

“Dua ta falënderoj ambasadorin Soreca jo vetëm për këtë prani, por, sinqerisht, për punën e madhe dhe të palodhur të të gjithë ekipit të delegacionit të BE në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë që përtej vetë anëtarësimit, ky është një proces i brendshëm, i domosdoshëm, për të pasur këtu një shtet që funksionon me të gjitha normal, me të gjitha standardet”.

“Raporti që marrim sot është një tjetër në një vazhdë të disa të tjerëve tanimë, ku Komisioni konfirmon bindjen e vetë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë së bashku me BE diskutimin e anëtarësimit. Po ashtu, dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimsisht në këtë gjitha instancat, ne gjejmë te Komisoni Europian një partner të drejtë, rigorozë, që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren. Për këtë arsye, nuk ka, nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit delegacionin e Komisionit Europian në vendin tonë. Ndërsa kur dëgjojmë pranë afateve dhe ditëve të vendimmarrjeve të BE se në një vend apo në një vend tjetër ngrihen pretendime se, prit se duhet kjo, duhet edhe ajo, këto janë politike. Për këtë arsye, raporti i progresit është dokumenti udhërrëfyes. Të gjitha të tjerat janë interferenca në proces me natyrë politike”.

“Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të përputhjes me standardet e OSEB, se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe”, tha Rama./A2 CNN

Shpërndaje në: