Rama: Ndryshojmë rajonin me Ballkanin e Hapur, jemi baza politike e ShBA-së

Rama: Ndryshojmë rajonin me Ballkanin e Hapur, jemi baza politike e ShBA-së

Ky vit shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ngjarje e përkujtuar në një sërë eventesh, përgjatë këtyre muajve, që nga nisja e vitit.

Nën logon “ 100 – Së bashku krah për krah”, e cila simbolizon miqësinë mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, u kremtua sot në Tiranë, 100-vjetori i lidhjes jetike së miqësisë dhe partneritetit, që siç u tha, kaloi përmes një historie të trazuar nga perdja e hekurt, për t’u rikthyer me e fortë se kurrë.

Në këtë ngjarje ku morën pjesë krerët e shtetit shqiptar u përmend dhe Kosova dhe roli i pazëvendësueshëm i Shteteve të Bashkuara në çlirimin dhe pavarësinë e vendit. Ndërsa kryeministri Edi Rama, tha seShqipëria është baza politike e SHBA në rajon ndërsa me Ballkanin e Hapur do të ndryshojnë rajonin.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.

“Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit. Partneriteti i ngushtë strategjik me SHBA-të do të gjejë hapësira të reja, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme”, deklaroi Begaj.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri nuk ka forca anti-amerikane apo anti-amerikane por vetëm garë se kush e do Shqipërinë më shumë. Ai tha se shteti shqiptar nuk do të kishte të arriturat e sotme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit, por më shumë se kaq, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara”, tha Rama.

Rama tha se Shqipëria është baza politike e Shteteve të Bashkuara në rajon dhe do të shfrytëzojnë këtë marrëdhënie për të ndryshuar rajonin.

Këtu Rama përmendi edhe Ballkanin e Hapur për të cilin u shpreh se është projekt i dakorduar plotësisht me Shtetet e Bashkuara.

“Dhe ne jemi jashtëzakonisht të privilegjuar dhe unë jam shumë besimplotë që falë kësaj marrëdhënieje ne do ta ndryshojmë rajonin. Do ta ndryshojmë rajonin një herë e përgjithmonë. Natyrisht që, do të vazhdojmë të përballemi me forca që duan ta mbrojnë edhe Ballkanin, edhe Kosovën nga çartja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcenim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet”, vijoi Rama.

Ndërsa ambasadorja e SHBA-së Shqipëri, Yuri Kim tha se më 28 korrik 1922, Shqipëria dhe Amerika ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza e që u ruajt nga shqiptarët edhe gjatë ditëve të errëta të komunizmit.

Kim shtoi se shumë gjëra kanë ndryshuar në 100 vite, por Shtetet e Bashkuara kurrë nuk janë lëkundur nga besimi për një Shqipëri të pavarur dhe sovrane.

“Ne kurrë nuk jemi lëkundur nga të besuarit në ju. Ne kurrë nuk kemi lejuar që të lëkundemi në besimin që kemi në miqësinë tonë. Ne ishim krenar kur ju mbështetem kur ju shkëputët vargonjtë e komunizmit në vitin 1991. Krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2001. Krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj në krye të OSBE-së në vitin 2020. Krenar që ne ju pritëm si partner si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në janar të këtij viti. Krenarë të festojmë me ju këtë muaj ndërsa ju filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes evropiane”, tha Kim.

Në këtë ngjarje me një mesazh iu drejtua edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden si dhe ish-presidenti George Bush, i cili është presidenti i parë amerikan në detyrë që ka vizituar Shqipërinë.

Si sot një shekull më parë, më 28 korrik të vitit 1922, në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë mbërriti dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se SHBA-të e njohin qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërohet ambasadori i parë në Shqipëri.

Shpërndaje në: