Rama: Në krye me bacën Behgjet nisim zyrtarisht punën për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Rama: Në krye me bacën Behgjet nisim zyrtarisht punën për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

“Me në krye bacën Behgjet njoftojmë zyrtarisht nisjen e punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.

Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraditen e 28 nëntorit në ceremoninë e nisjes së punimeve për këtë aeroport.

Të pranishëm, përveç kryeministrit ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe sipërmarrësi Behgjet Pacolli.

Kompania e këtij të fundit – konsorciumi ‘Mabco Construction’, ‘Mabetex Group’ – u shpall fitues më 5 mars të këtij viti për ndërtimin e aeroportit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Si Rama ashtu dhe Balluku falënderuan Pacollin për gjithë mundësitë që do i hapë qytetit të Vlorës.

Duke e quajtur një histori të re dhe si një ndër projektet më të vështira Rama tha se kjo do të bëhet realitet, “së bashku me një mik të mirë, një ndër më të shquarit e sipërmarrjes shqiptare, një personalitet si baca Behgjet, të cilin e falënderoj shumë për përfshirjen në këtë aventurë të përbashkët”.

“Ky është kantieri që kemi ëndërruar prej shumë vitesh dhe sot po ja dhurojmë Vlorës”, e nisi fjalën e saj Ministrja Balluku.

Kryeministri Edi Rama, sipërmarrësi Behgjet Pacolli.

Numri një i qeverisë dhe Ministrja bënë me dije se pavarësisht pengesave që ka hasur ky projekt, “tashmë jemi këtu dhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me atë të Mynich-ut – një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Evropë, por edhe në botë”.

Balluku theksoi se pas mbarimit të punimeve ky aeroport do i dorëzohet atij të Mynich-ut, i cili do të nisë operimet.

Ndërsa Rama shtoi se Vlora është qyteti, ku është hapur shkolla e parë e aviacionit në Shqipëri.

“Vlora ka historinë e saj sa i përket transportit ajror. Këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër, ne sot fillojmë punimet për portën e tretë nga qielli”.

5 mars 2021, shpallja fitues i konsorciumit “Mabco Construction”, “Mabetex Group”.

“Kur thua Vlorë nuk ke më se çfarë thua” tha Rama.

Balluku u ndal dhe te ndikimi ekonomik që do të ketë ky Aeroport.

“Është Aeroporti më i madh në vendin tonë, me një pistë me 4E dhe do të hapë rreth 1 mijë vende pune”.

Më tej ajo bëri me dije se afati për përfundimin e ndërtimit do të jetë prilli i vitit 2024 dhe do të bëhet funksional brenda vitit 2025.

Kryeministri dhe Ministrja njoftuan se vendi po përgatitet për për një tjetër portë nga qielli, i cili është aeroporti sezonal i Sarandës.

“Nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte, porte sepse të gjitha këto janë motorë të ekonomisë. Rrisin fuqinë motorike të ekonomisë sonë. Me fillimin e kësaj pune dhe fillimin në Sarandë, vendosim një sistem të ri motorësh për ekonominë”, e përmbylli fjalën e tij Kryeministri Rama.

20 prilli shënoi datën kur Rama, së bashku me Ballukun, nënshkruan marrëveshjen me kompaninë e Behgjet Pacollit, për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Festat Kombëtare të 28-29 Nëntorit këtë vit shënojnë me hapjen e dy prej projekteve “më të mëdha” të qeverisë “Rama 3”.

Më 29 nëntor do të hapet “Rruga e Arbrit” në formën e kantierit – 80% e kalueshme – ku më pas punimet do të mbyllen në qershor të vitit 2022.

Shpërndaje në: