Rama: Pasi ta marrim Prishtinën në dorë nuk do të ketë më ndërtime pa leje

Rama: Pasi ta marrim Prishtinën në dorë nuk do të ketë më ndërtime pa leje

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të parin e Prishtinës, Përparim Rama, thonë se duhet një analizë e detajuar për të gjitha objektet pa leje që janë ndërtuar në Prishtinë teksa deri tani besohet të jenë rreth 40 mijë objekte të tilla.

Rama në Rubikon mes tjerash tregoi planin e tij për legalizimin e gjithë këtyre objekteve.

“Ndërtimet pa leje i shoh si problem shumë të madh i cili duhet me u zgjidh mirë dhe shpejtë. Të gjitha këto ndërtime duhet me i hy një analize rigoroze në aspektin e mirëqenies të njeriut – nëse këto nuk e cenojnë atëherë duhet me u legalizu ndërsa nëse e cenojnë ne do të kemi një fond i cili do t’ju ndihmojë rasteve sociale që ndoshta nuk mundem me pagu një teknik për të quar procesin e legalizimit dhe t’i legalizojmë të gjitha këto”.

“Familje të shumta mbase për gjithë jetën e tyre ka ruajtur para për të blerë një banesë dhe tash nuk munden me ua pa hajrin sepse nuk është e legalizuar dhe nuk mund ta përdorin se kolateral për bankë ose për krijimin e një biznesi të ri”, thotë Rama.

Tutje Rama deklaron se posa ta marrin Prishtinën në dorë nuk do të ketë më ndërtime pa leje.

“Prej momentit që ne e marrim më menaxhim Prishtinën atëherë nuk do të lejojmë që këto gjëra të ndodhin përsëri dhe nuk do të lejojmë që të ndodhin ndërtime të cilat janë të papranueshme dhe do të ketë kontrolle dhe nuk do të lejohet as shitja e tyre deri në momentin kur i përmbushin të gjitha përmasat legale”.

Shpërndaje në: