Rama për gazetën italiane: Serbia duhet ta njohë Kosovën, po punojmë për ta arritur këtë

Rama për gazetën italiane: Serbia duhet ta njohë Kosovën, po punojmë për ta arritur këtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, me rastin e vizitës së tij në Romë, ka folur, mes tjerash, për çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e rajonit.

I pyetur se çfarë marrëdhënie ka Shqipëria me vendet përreth saj, kryeministri shqiptar u përgjigj duke theksuar nevojën për njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Marrëdhëniet tona nuk kanë qenë kurrë më të mira, sigurisht që mbeten probleme siç është njohja e Kosovës nga Serbia, por mendoj se ekziston mundësia e ndërtimit të një rruge të përbashkët. Atëherë varet nga ne nëse ia dalim apo duam të biem në grackat e së shkuarës”, tha Rama.

Në pyetjen se a do të mund të realizohet “Ballkani i Hapur” me përfshirjen e Kosovës dhe vendeve tjera në të, Rama tha se po punojnë për ta arritur këtë.

“Ne jemi duke punuar për këtë, por, siç thashë, kjo varet vetëm nga ne”, u shpreh Rama.

Rama ka shkuar në Itali, së bashku me gjysmën e qeverisë shqiptare. Ai e nisi ditën në Palazzo Chigi ku tha se ka “privilegjin” ta takonte homologun e tij Mario Draghi, “një personazh – siç tha ai – që ka dalë nga faqet më të mira të historisë politike të Evropës”, ​​për të përfunduar më pas me takimin e Komitetit të Përbashkët të Bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio.

Shpërndaje në: