Rama: Sa më shumë zgjatet ky konflikt, aq më shumë lëndohet Kosova

Rama: Sa më shumë zgjatet ky konflikt, aq më shumë lëndohet Kosova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve në Zveçan.

Me anë të një postimi në Twitter,  Rama ka deklaruar se sa më shumë zgjatet ky konflikt aq më shumë lëndohet Kosova.

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova!”, shkroi Rama.

Sipas tij, nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, “dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”, shtoi ai.

Shpërndaje në: