Rama takon drejtuesit e Gjykatës së Hagës, sot konferencë edhe me Kryeministrin holandez, Mark Rutte

Rama takon drejtuesit e Gjykatës së Hagës, sot konferencë edhe me Kryeministrin holandez, Mark Rutte

Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të hënë në Hagë ku është takuar me Presidentin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Kancelarin dhe Kryeprokurorin e kësaj gjykate.

“Hagë – Me presidentin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Piotr Hofmański dhe Kancelarin Pieter Lewis, si dhe me Kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan”, shkruan Rama.

Gjatë vizitës së tij në Holandë Rama ka zhvilluar edhe një  bashkëbisedim në qendrën “De Balie”, ku ka folur rreth jetës së tij, karrierës si politikan, por edhe si artist. Fokusi ishte te integrimi i Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe zhvillimet e fundit në këtë aspekt.

“Mendoj se duhet të ishin çelur negociatat prej shumë vitesh, mbase vitin e ardhshëm por nuk do humbasim më gjumë për këtë, ne. Mbetëm duke organizuar dasma, dasma të mëdha me muzikë. Prisnim të vinte nusja nga Brukseli, por 1 vit 2 vjet 3 vjet asnjëherë nuk erdhi. Nëse do të vijë të martohet me ne pa muzikë dhe menjëherë në shtrat dhe të bëjmë fëmijë, le të vijë. E them me humor, por imagjinoni veten kur doni të martoheni seriozisht por ajo nuk shfaqet asnjëherë” – tha Rama.

Në axhendën e kryeministrit Rama në Holandë, janë parashikuar disa takime të rëndësishme, që do të mbyllen me takimin e tij me homologun, kryeministrin holandez, Mark Rutte.

Takimi është parashikur rreth orës 18:30. Në 18:55 është parashikuar të zhvillohet nje konferencë për mediat.

Temat që pritet të diskutohën; bashkëpunimi mes Holandës dhe Shqipërisë, lufta në Ukrainë dhe çështja e marrëdhënive evropiane me Ballkanin Perëndimor. Vizita do të mbyllet me një darkë.

Shpërndaje në: