Ramabaja: UDB-ja e Serbisë është ulë këmbëkryq në Policinë e Kosovës
Policia e Kosovës me rastin e 17 vjetorit të themelimit nuk ka marrë vetëm lëvdata. Kritika dhe akuza ndaj zyrtarëve të këtij institucioni kanë drejtuar sërish zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aktivistët e VV-së nuk pajtohen me arrestimet e tyre që bëhen nga Policia.
Disa nga ta janë arrestuar edhe në protestën e 1 shtatorit gjatë kohës kur në Kuvendin e Kosovës po mbahej seanca për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
Dy nga ta, Sadri Ramabaja dhe Qëndron Kastrati, kanë dalë sot në një konferencë për media duke akuzuar rëndë Policinë e Kosovës.
Madje asamblisti Ramabaja tha se në Policinë e Kosovës është ulur këmbëkryq UDB-ja.
“Mekanizma të instaluar në Policia na sjellin në kujtesë situata të palakmueshme si përballjen me forcat policore serbe. Pikëpamjen që kisha lidhur me funksionimin e Policisë e kam ndryshuar shumë. Kam konstatuar me keqardhje që në këtë institucion është ulur këmbëkryq UDB-ja serbe”, tha Ramabaja në konferencë, raporton Kosovapress.
Ai foli për aktivistët e arrestuar dhe trajtimin e tyre nga ana e Policisë. Sipas tij, Policia ka vënë në thumb familjet që kanë dhënë shumë për këtë vend.
“Vetëvendosje po e vret këtë zinxhir komandues të Beogradit të instaluar në Polici. Denoncoj këtë bandë të UDB-së të instaluar në Polici me sjelljet brutale”, ka theksuar Ramabaja.
Edhe Qëndron Kastrati i arrestuar më 1 shtator pas protestës, foli për ngjarjen gjatë arrestimit.



