Ramadani: Kurti jo që nuk po e lufton korrupsionin, por edhe po e mbron atë

Ramadani: Kurti jo që nuk po e lufton korrupsionin, por edhe po e mbron atë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus”, ku foli mbi çështje të ndryshme, por iu kushtoi shumë pak kohë temave më të rëndësishme të vendit.

Për këtë, Periskopi ka folur me analistin e njohur, Shkodran Ramadani, i cili pati kritika të ashpëra drejt kryeministrit, në temat si ajo e marrëveshjes së Ohrit, Ligjin për KPK-në e raportin e DASH-it për Kosovën.

 

Periskopi: Ligji për KPK-në u shpall anti-kushtetues, si e vlerësoni faktin që kryeministri Kurti, pavarësisht kësaj i doli në mbrojtje ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me këtë?

Z. Ramadani: Po ky potenc i z.Kurti nuk befason në atë që di, për shkak që është në përpjekjen e tyre sipas tij që të anashkalojnë edhe n’fakt edhe të shkelin institucionet e pavarura në emër të përfaqësimit të vullnetit të popullit, i cili sipas tyre nuk e meriton të kufizohet me asnjë ligj edhe me asnjë organ të kushtetutës edhe drejtësisë. Për shkak që janë partitë populiste me tendenca autoritare ata vazhdimisht e synojnë minimin e autonomisë dhe pavarësisë të këtyre institucioneve të cilat janë garantues të balancit institucional, të lirisë së pushteteve, e domosdoshme për çfarëdo shteti e çfarëdo shoqërie që synon të jetë demokratike. Pa këto institucione është e pamundur të funksionojë demokracia në një shtet, por menqenëse ata nuk janë respektues të mëdhenj të demokracisë atëhere sigurisht që për ta është vetëm dëm kolateral minimi i pavarësisë së këtyre institucioneve, kështu që nuk befasona aspak.

Periskopi: Një çështje tjetër me rëndësi që u diskutua ishte raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kurti në njëfarë mënyre, nuk e mohoi se ka korrupsion në Qeveri. Ai deklaroi se nëse e krahasojmë këtë raport me të kaluarën del që ka pasur shumë zyrtarë, ndërsa thotë se tash janë “disa zyrtarë”. Si e komentoni ju këtë?

Z. Ramadani: Po edhe raporti i DASH-it është një tjetër dëshmi që qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë me luftimin e korrupsionit prej premtimeve dhe zotimeve të bëra me i arrestu “peshqit e mëdhenj të korrupsionit”.Ka përfundu me arrestimin e disa policëve në pikat kufitare të cilat kanë pasë ndoshta keqpërdorimeme shuma 10€, 20€, 30€. Prej premtimeve që do ta ndërtojë burgun e Dubravës në 12 katë, e ka harru krejt atë çështje, tash korrupsioni nuk është problem, madje e ka marrë në mbrojtje të tij korrupsionin me rastin e Martin Berishës, për të cilën janë dëshmitë t’fuqishme, bindëse se është i përfshirë jo vetëm në korrupsion por edhe në krim të organizuar me GEN-in e Beogradit. Kështu që z.Kurti nuk është që thjesht nuk po e lufton korrupsionin por edhe po e mbron, sipas të gjitha gjasave për shkak që është edhe vetë i përfshirë në këtë aferë dhe për këtë arsye ai as nuk e përndjekë Martin Berishën sepse me këtë rast do ta priste edhe degën ku edhe ai vetë është duke qëndruar.

Periskopi: “Njohjen de-fakto e kemi, atë që nuk e kemi është asociacioni”, “Jo Zajednicës edhe atëherë edhe sot”. Këto ishin dy deklarata të Kurtit që kanë të bëjnë me marrëveshjen e Ohrit. Duke u bazuar me faktin që Kurti pranoi këtë marrëveshje, e që i bie se themelimi i Asociacionit së shpejti do nisë, si i komentoni këto fjalë të Kurtit?

Z. Ramadani: Po edhe kjo deklaratë është një përpjekje e dëshprume e kryeministrit Kurti për ta fshehur të vërtetën e pranimit dhe nisjes së themelimit të Zajednicës, tash ai mendon që duke ja ndryshuar emrin këtij entiteti, ai mundohet të na bindë që po e mban edhe substancën e tij, megjithatë substanca, thelbi i këtij entiteti është i njejtë ose edhe më i keq, për shkak që në marrëveshje të Ohrit janë, ato që duhet të realizohen janë me marrëveshje përfshirë 2013-shin, 2015-shin e jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e vitit 2015 e as letra e Mogherinit. Pra në marrëveshje nuk figuron as letra e Mogherinit që thotë që aksioni duhet të bëhet në përputhje me kushtetutën e as vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vërejtjet që i ka dhënë për marrëveshjen e vitit 2015. Pra është zotuar që do t’i zbatojë marrëveshjet ashtu siç janë nënshkruar, e jo ashtu siç janë realizuar pak më vonë. /PERISKOPI/ 

Lexo edhe: 

Demagogu njoftohet me Dokumente: Si të kuptohet nervoza që Kurti shpërfaqi sonte?

 

Shpërndaje në: