Ramiz Kelmendi tregon se me çfarë qëllimi u bë zëvendëskryeministër

Ramiz Kelmendi tregon se me çfarë qëllimi u bë zëvendëskryeministër

Pak ditë pasi Kelmendi kaloi nga deputet i pavarur, që më parë ishte në radhët e PDK-së, në LDK ndodhi edhe ky emërim.

Portali Koha.net ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me Ramiz Kelemendin, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Koha.net: Zotëri Kelmendi a keni kaluar në LDK vetëm për të marrë postin e zëvendëskryeministrit?

Ramiz Kelmendi: Jo jo nuk ka qenë ky qëllim. Kur ofrohen çështjet për një zgjedhje për lëvizje, apo diçka, unë i konceptoj në realizimin e qëllimeve të mia, që ka qenë zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe rritja e numrit të të punësuarve. Aty kam gjetur këtë hapësirë, për të kontribuar në këtë fushë. Natyrisht që për këtë kam kaluar në LDK. Unë nuk kam ndonjë qëndrim radikal ndaj partive politike, e as nuk kam pasur asnjëherë. Qëllimet e mia janë të urta dhe avancuese në aspektin ekonomik.

Koha.net: Pasi e dimë që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është doktor i ekonomisë, a i keni prezantuar ndonjë plan konkret për ndryshimin e menduar nga ju ekonomik?

Ramiz Kelmendi: Unë i kam shpalosur goxha shumë plane, por në këtë rast planet e mia hasin në mirëkuptim dhe realizim më të shpejt. Kryeministri është ekonomist i shquar me përvojë dhe titull, kjo më bën që qëllimet dhe idetë e mia të implementohen më shpejtë në interes të zhvillimit ekonomik.

Koha.net: A e keni vendosur se cila do të jetë puna e parë që do ta bëni si zëvendëskryeministër?

Ramiz Kelmendi: Po i kam caktuar disa punë të para. Qëllimi im është bashkëpunimi me të gjitha ministritë, me ato që gjatë rrugëtimit tim kam hasur në kërkesa të shumta të kërkesave se çka duhet të ndryshohet, që bizneset ekzistuese të ecin përpara. Por i kam pasur parasysh edhe shqetësimet e qytetarëve të rinj të vendit që pas përfundimit të shkollimit të kenë mundësi që të bëhen afarista dhe të kenë qasje në financim kualitativ për zhvillim të biznesit të vet dhe hapjes së punësimit individual.

Koha.net: A do të jetë fokusi juaj në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë e Industrisë apo …

Ramiz Kelmendi: Jo, jo unë do të kem fokus tek të gjitha minsitritë, duke filluar nga ajo e Ekonomisë, Tregtisë e Industrisë, Drejtësisë, Punës, e të gjitha ministritë që ndërlidhen me zhvillimin e shpejtë ekonomik, i cili po kërkohet nga qytetarët e Kosovës. Pa i kompletuar proceset në tërësi nuk mund të ketë rrugë të shpejtë, mund të ketë rrugë të ngadalshme, por unë dua zhvillim të shpejtë ekonomik.

Koha.net: Ditëve të fundit është lakuar shkuarja në zgjedhje. Kryetari i partisë ku keni qenë më parë, Kadri Veseli e ka thënë se shkuarja në zgjedhje është e mundshme. A jeni të përgatitur ju që të shkoni në zgjedhje dhe do t’i bie kohë e shkurtë në këtë post?

Ramiz Kelmendi: Unë në ditën e parë do të fillojë të punojë dhe sa më shumë ditë që kam, aq më shumë do të shohin interes Kosova dhe qytetarët e saj. Prandaj, çfarëdo vendimi që sjellin liderët politikë, unë i respektojë dhe bëhem pjesë e zhvillimeve të reja në kuadër të LDK-së.

Shpërndaje në: