Raporti i DASH-it përmend punën e Gjykatës për krime lufte me seli në Hagë, flet për rastin “Drenica I”

Raporti i DASH-it përmend punën e Gjykatës për krime lufte me seli në Hagë, flet për rastin “Drenica I”

Në raportin e publikuar së fundi nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) përmendet puna e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë dhe veprimet për ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës nga gjykatat në Kosovë.

Aty thuhet se deri në shtator, Prokuroria e Posaçme e Kosovës (PSRK) kishte nën hetim zyrtar 12 raste të krimeve të luftës. Gjatë vitit PSRK-ja ka nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve. Një rast i profilit të lartë të krimeve të luftës i njohur si “Drenica I” u dërgua për rigjykim në vitin 2017, por u vonua disa herë. Deri në dhjetor nuk ishte mbajtur asnjë seancë dëgjimore.

Raporti vë re gjithashtu se në korrik, një gjykatë në Prishtinë dënoi ish-policin serb, Zoran Vukotiç me tre vjet e gjysmë heqje lirie për përdhunimin e një gruaje shqiptare shtatzënë gjatë kohës së luftës dhe për pjesëmarrje në dëbimet e civilëve shqiptarë të Kosovës nga qyteti i Vushtrrisë, në vitin 1999. Që nga viti 2019, Vukotiçi ishte në vuajtje të dënimit prej gjashtë vjet e gjysme për krimet e luftës të ndalimit dhe torturimit të paligjshëm të të burgosurve shqiptarë nga Kosova në rajonin e Mitrovicës. Dënimi shtesë shënoi herën e parë që një gjykatë e Kosovës dënon një të pandehur për përdhunim gjatë luftës.

Raporti përfshinë edhe dënimin në muajin mars të serbit nga Kosova Zlatan Krstiç dhe shqiptarit Destan Shabani, të dy ish-oficerë të policisë serbe, me përkatësisht 14 vjet e gjysmë dhe shtatë vjet burgim, për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në vitin 1999. Ndërsa në shkurt, një gjykatë në Prishtinë dënoi serbin e Kosovës, Zoran Gjokiç me 12 vjet heqje lirie për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës të kryera ndërmjet marsit dhe prillit 1999 në rajonin e Pejës.

Komisioni qeveritar për Persona të Zhdukur tha në muajin shtator se 1 mijë e 632 veta ende llogariten si të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 dhe dhunës politike që pasoi. Sipas ligjit, baza e të dhënave të personave të zhdukur të qeverisë nuk përfshin përkatësinë etnike të personave të zhdukur, përveç nëse raportohet vullnetarisht nga familja e tyre. Komisioni la të kuptohet se rreth 70 për qind janë shqiptarë ndërsa 30 për qind ishin serbë, romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, goranë, malazezë dhe të tjerë./Periskopi/

Shpërndaje në: