Raporti i ngecjes së BE-së

Blerim Shala Op-Ed

Raporti vjetor i vendeve i Komisionit Evropian, i bërë publik këtë të martë, (me 19 tetor), është Dokumenti kryesor i Brukselit me të cilin vlerësohet zhvillimet në shtetet që synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Është kjo një Analizë gjithpërfshirëse e arritjeve, sukseseve, ngecjeve dhe dështimeve të secilit shtet veç i veç, e cila, realisht, nuk ka si të mos përkthehet edhe në Planet e qeverisjes për vitin vijues të këtyre shteteve.

Për këtë shkak, rëndom, ai përcjellet me debate të shumta politike në këto shtete, shpeshherë edhe me ato parlamentare, teksa nëse përmbajtja e këtij Raporti, në përgjithësi, shfaqet me cilësime më kritike se sa e Raportit paraprak, atëherë, mund të ketë edhe përplasje më serioze në skenën politike të atij shteti.

Natyrisht, secili që i ka lexuar Raportet vjetore  (më herët të titulluara si Raportet e Progresit), e di që gjuha e përdorur, me përjashtime shumë të rralla, shquhet me një kujdes, maturi dhe disiplinë të posaçme, prandaj, për të mbërri tek një konkludim kategorik për këtë Raport, duhet një mjeshtri e veçantë politike dhe diplomatike.

Sidoqoftë, tash e disa vjet, mungon ai tipari kryesor i Raporteve vjetore të Komisionit Evropian, i cili nuk dihet edhe kur do t’i kthehet këtij Komunikimi më të plotë në mes të Brukselit dhe shteteve që pretendojnë të inkuadrohen në BE.

Raporti vjetor ka qenë (dikush mund të shtojë që edhe mbetet sot e kësaj dite), ai Dokumenti kryesor i BE-së i cili ka matur shkallën e tranformimit të një shteti që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, në një shoqëri të mirëfilltë evropiane, e cila jo vetëm që ka përqafuar vlerat kryesore politike, ekonomike, kulturore, qytetëruese  (tek e mbrama), të Evropës, por për më shumë, i ka institucionalizuar ato, me një demokraci funksionale dhe me një liberalizëm të mirëfilltë.

Ky transformim pastaj, tok me atë vlerësimit politik sipëror të instancave më të larta të BE-së  (Këshilli Evropian), është dashtë të paralajmërojë kohën kur një shtet mund të merr edhe ftesën zyrtare për tu bërë pjesë përbërëse e familjes së madhe evropiane.

Pra, Rapori vjetor, ka pasur atë dimensionin vendimtar teknik, mbi të cilin pastaj është ndërtuar ai vlerësimi politik.

Dikush këtu mund të pohojë, me të drejtë gjithsesi, që në shumicën dërrmuese të rasteve të zgjerimit të BE-së me shtetet e reja, ai vlerësimi politik ka pasë rëndësi të veçantë, e ai  (vlerësim), është lidhur me interesat gjeo-politike të Brukselit, të cilët kanë ekzistuar gjithmonë, dhe kanë qenë objektivisht, në një raport të varëshmërisë edhe me Aleancën Veri-Atlantike. Zatën, të gjitha shtetet e ish kampit komunist që janë integruar në BE, së pari janë përfshi në anëtarësinë e Paktit NATO, e pastaj, në atë të BE-së.

Megjithatë, siç u theksua tashmë, tash e katër vjet, Raporti vjetor i Komisionit Evropian, nuk synon më që shfaqë atë qëndrimin kryesor teknik se si qëndron puna me një shtet, kur flitet për gjasat e tij që brenda një afati të cakuar kohor të hyjë në BE.

Nuk është pra më në fuqi ajo logjika: Bëhuni shtet evopian, në të gjitha aspektet e mundshme, dhe pastaj, si përgjigje dhe kundërvlerë e Brukselit për të gjitha këto arritjet e juaja, ju do të bëheni shtet anëtar i BE-së.

Natyrisht, të bërit një shtet i njëmendtë evropian, do të duhej të ishte interes jetik i secilit prej këtyre shteteve veç e veç, sepse diçka e tillë, zatën, është në thelbin e çdo fushate parazgjedhore dhe në Programin e secilës Qeveri. Megjithatë, nuk ka kurfarë dyshimi që Oferta për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka qenë shtytës i madh për skenat politike të këtyre shteteve, dhe për reformat e thella politike dhe ekonomike në këto shtete.

Pra, Raportet vjetore kanë pasur, në esencë, edhe rolin e një Para-kontrate në mes të një shteti pretendues dhe BE-së, sepse aty janë rreshtuar qartasi të gjitha kriteret që ky shtet duhet t’i përmbushë në të ardhmen, për të mbërritur edhe tek Kontrata e mirëfilltë ligjore dhe politike për integrimin e atij shteti në Bashkimin Evropian.

Këtë veçori më nuk e ka ky Raport, gjë që realisht u pa edhe në Deklaratën e Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt para sy javësh në Bërdo të Sllovenisë.

Teksa vullneti politik i shteteve anëtare të BE-së, më para është ndërlidhur me këtë vlerësimin gjithpërfshirës teknik të Qeverisë së BE-së  (çka është tjetër Komisioni pos Qeveri), tash e sa vite, qëndrimi, vlerësimi dhe vullneti politik i këtyre shteteve  (veçmas i atyre më të mëdha), është Alfa dhe Omega e BE-së karshi këtyre shteteve pretenduese për tu bërë anëtarë të BE-së.

Si qëndrojnë punët tani, gjatë gjithë kësaj decenie të tretë të këtij shekulli, e cila ka nisur sivjet, do të kemi për çdo vjet Raporte të Komisionit Evropian për gjendjen e tërësishme në secilin prej këtyre shteteve, ndërsa nuk do të dihet se a do të ketë fare zgjerim të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ky është një konstatim për ngecjen e BE-së përballë Ballkanit Perëndimor.