Raportimi i ministër Mehajt: Çka tha ai para se mbledhja të mbyllej për popullin?

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar e po raporton në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes pas skandaleve të fundit që kishin të bënin me dorëheqjen e komandantit të ri të FSK-së, me ngjyrosjen e autoblindave të dhuruara nga ShBA-të dhe me notën diplomatike të këtyre të fundit.

Çka tha z. Mehaj?

Armend Mehaj në komision, bëri një varg lëvdatash për veten e tij.

Fillimisht, ai u frye se kishte mbajtur vazhdimisht kontakt dhe kishte informuar rregullisht kryetarin e komisionit Bekë Berishën dhe me komisionin në përgjithësi.

I pranishëm në komision ishte edhe ish ministri, tanimë deputet, Anton Quni, përcjell Periskopi.

Por, çka tha ministri për përplasjen që kishte me ShBA-të?

Ai e mohoi një gjë të tillë, edhe pse nuk foli në mënyrë direkte për incidentin e autoblindave që kishte rezultuar në dorëheqjen e komandantit të ushtrisë sonë [FSK], Rrahman Ramës.

“Unë ju ritheksoj me plotësi të plotë si kurrë ma mirë s’kena pasë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara se që kena sot,”  –  tha z. Mehaj.

Mehaj u frye edhe për buxhetin e ri të Ushtrisë, e i cili do të peshojë 103 milionë euro. Në fakt, FSK nuk kishte mandat për t’u bërë ushtri paraprakisht dhe ekspert të sigurisë kanë kërkuar rritje edhe më të madhe të buxhetit për ushtrinë për të arritur kapacitetet që të bëhet ushtri tamam.

Pse u mbyll për popullin, kjo mbledhje?

Një gjë e tillë besohet që ka ndodhur në mënyrë që z. Mehaj të informojë se çka ka blerë nga armatimi për FSK-në.

“Në total, kryetar për këto tetë muaj, vlera e pajisjeve që i kemi blerë e kapë shifrën prej 32 milionë eurove. Këtu përfshijnë prej autoblindave, lloj armatimi – siç do i ceki do prej tyre – snajperka, drona, e edhe pajisje tjera siç nuk muna me i përmen në seancë të hapur për publikun. Por, do e mbajmë të mbyllur besoj e t’ju informoj më hollësisht,” – u shpreh z. Mehaj