Rashica: Jemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme, kërkojmë rezultat kundër Suedisë

Rashica: Jemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme, kërkojmë rezultat kundër Suedisë

Milot Rashica ka folur për llogarinë zyrtare të FFK-së, pasi përfundoi stërvitjen e fundit.

Kosova ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Hajvali para udhëtimit në Suedi, skuadër me të cilën do përballen këtë të shtunë.

Pas stërvitjes, Rashica beson që do rikthehen me rezultate pozitive dhe t’i gëzojnë tifozët.

“Sot ka qenë një stërvitje më e lehtë, duke pasur parasysh se dje ka qenë intensiteti shumë më i madh. Gjatë gjithë javës kemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht se do të shkojmë për rezultat pozitiv”.

“Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, deklaroi ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Kombëtarja e Kosovës niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, në orën 18:00.

Shpërndaje në: