Rasti Dehari nuk çon në dorëheqjen e asnjë ministri

Rasti Dehari nuk çon në dorëheqjen e asnjë ministri

Kohë më parë, familja e Astrit Deharit, përmes një deklarate për media, kishte kërkuar që ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni të japin dorëheqje për shkak të mungesës së sigurisë në burgje.

Sipas familjes, e cila e ka edhe mbështetjen e subjektit opozitar Lëvizja Vetëvendosje, hetimet aktuale duhet të ndërpriten derisa të mos ketë dorëheqje të nivelit politik.

“Pa dorëheqje të këtyre dy ministrave dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale, ne si familje Dehari nuk pajtohemi për hetime ndërkombëtare”, është thënë në një deklaratë të familjes Dehari.

Në anën tjetër, zyrtarët në të dy ministritë e apostrofuara nuk kanë dashur të flasin lidhur me kërkesat për dorëheqjen e ministrave.

Ministria e Drejtësisë, me anë të një komunikate për media, të lëshuar të mërkurën, ka thënë se “aktualisht rasti është ende në duar të Prokurorisë dhe se Ministria e Drejtësisë nuk mund të bëjë më shumë lidhur me këtë proces”.

Ministria e Drejtësisë, vijon komunikata, mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet dhe tu ofrojë përkrahje të mëtutjeshme nëse ka nevojë”.

Sipas të gjeturave të raportit të Inspektoratit pas vdekjes së Deharit, Ministria ka iniciuar procedurat disiplinore dhe janë suspenduar nga puna një zyrtarë korrektues, dy mbikëqyrës dhe Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

 

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se suspendimet janë të mirëseardhura, ndonëse shumë të vonuara.

Musliu konsideron se puna e bërë deri më tash nga institucionet e Kosovës ka qenë një punë jo profesionale, e cila tani po interpretohet nga grupet e ndryshme, duke nisur nga ato për interesa politike.

“Zinxhiri i shërbimit korrektues, në aspektin e sigurisë, do të duhej të suspendohej deri ne nivel qendror. Kjo për t’i dhënë hapësirë dhe mundësi një hetimi të pavarur, të paanshëm dhe e profesional.”

“Papërgjegjësia institucionale në fillim të këtij rasti, për të mos e trajtuar siç duhet, e ka krijuar këtë konfuzion ku besueshmëria në punën e institucioneve vendore po kontestohet në çdo segment”, tha Musliu.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, konsideron se institucionet e Kosovës në rastin Dehari kanë dështuar që në fillim.

Ai mendon se për arsye morale drejtuesit e shërbimit korrektues, por edhe ministrat përkatës, është dashur të japin dorëheqje.

“Kjo tregon se sa i përgjegjshëm është shteti, sa të përgjegjshëm mund të them se janë këta udhëheqës të shtetit karshi një ngjarje tragjike, çfarë ishte vdekja e Deharit në Prizren.”

“Natyrisht, në ketë rast shteti është palë në këtë çështje dhe nuk duhet të veprojë nga një prizëm i pavarur. Në radhë të parë duhet të japim përgjegjësi zyrtare për të krijuar kushtet themelore për fillimin e hetimeve të pavarura”, tha Mushkolaj.

Ministria e Drejtësisë i ka dërguar një shkresë Ambasadës Britanike në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar përfshirjen e Policisë Metropolitane “Scotland Yard”, në hetimin e vdekjes së Astrid Deharit, i cili ka ndërruar jetë më 5 Nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Por, sipas ministrisë, Policia Britanike ka njoftuar se nuk mund të ndërmarrë hetime në këtë rast, meqenëse rasti nuk lidhet me Britaninë.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë shprehur habinë se si për vjedhjen e një celulari të Kryeprokurorit të Shtetit brenda pak orësh janë suspenduar dy polic, kurse për vdekjen e Deharit suspendimet ndodhin gati një muaj pas.

Musliu thotë se vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit të shteti tregon më së miri sa në Kosovë mungon siguria.

“Veprimet e institucioneve, në këtë rast, për suspendimin e këtyre dy policëve në këtë kohë të shpejtë, flasin në fakt për një veprim selektiv të institucioneve, kur bëhet fjalë për të adresuar përgjegjësinë atyre që mund të jenë dështakë në ofrimin e sigurisë dhe kryerjen e obligimeve ligjore”, tha Musliu.

Autoritete kanë thënë se nga hetimet e bëra Astrit Dehari është vetëvrarë, kurse Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se raporti dhe përfundimi për shkaktarin e vdekjes së veprimtarit janë të pabesueshme.

Lëvizja Vetëvendosje fajëson institucionet e shtetit për vdekjen e Astrit Deharit, i cili qe arrestuar së bashku me pesë anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, me dyshimin që për një sulm mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës. (REL)

Shpërndaje në: