Rasti i sekserit Martin Berishaj, Prokuroria e Sllovenisë nuk i mohon hetimet

Rasti i sekserit Martin Berishaj, Prokuroria e Sllovenisë nuk i mohon hetimet

Martin Berishaj tashmë është e konfirmuar zyrtarisht që në Kosovë po hetohet për raportim të rrejshëm të pasurisë. Për këtë, Agjencia Kundër-Korrupsion kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori. Megjithatë, kjo nuk është çështja e vetme për të cilën Prokuroria po e heton Berishajn.

Ditë më parë, Koha duke u thirrur në burimet e veta kishte raportuar se ambasadori Berishaj, po hetohet nga Prokuroria Speciale edhe për shpërlarje parash.

Madje, hetimet për shpërlarje parash tash nuk i ka mohuar as Prokuroria e Sllovenisë. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Prokuroria Speciale në Slloveni tha se për momentin nuk mund të ndajnë informacione me publikun.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju informojmë se nuk mund të transmetojmë informacione për procedurat e mundshme paraprake për shkak të interesit të procedimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ishte sulur prokurorëve kosovarë, duke theksuar se kanë për qëllim ta dëmtojnë qeverinë Kurti.

“Asnjë nga njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për ndryshime thelbësore në këtë vend, nuk janë të sigurt nga hapja e hetimeve të prokurorisë, duke e njohur edhe profesionalizmin e një pjese të prokurorëve, pore dhe duke e njohur edhe nevojën e domosdoshme për një vetting të mirëfiltë”, kishte thënë Gërvalla.

Ndaj kësaj reagoi edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës me një komunikatë për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ia rikujton Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar në mënyrë ligjore një kallëzim penal të pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Andaj, çfarëdo konspiracioni i ngritur nga ajo lidhur me këtë çështje është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe përbënë tentim për njollosjen e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

 

 

Shpërndaje në: