Rasti ‘Medicus’, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Rasti ‘Medicus’, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

 

Pasi Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim Rastin “Medicus” në janar të këtij viti, ka nisur përsëri gjykimi i Lutfi Dervishit, djalit të tij Arbanit dhe mjekut anesteziolog Sokol Hajdini.

Lutfi Dervishi akuzohet për veprën penale trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, derisa Sokol Hajdini akuzohet për lëndime të rënda trupore.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja ndërkombëtare Valeria Bolici, dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Unë ndihem absolutisht i pafajshëm”, tha Dervishi për të dy veprat penale. “Absolutisht i pafajshëm”, ishte edhe deklarimi i të akuzuarit Hajdini.

Prokuroria ngarkon Dervishin se 24 persona, janë rekrutuar nga vendet e jashtme dhe transportuar për heqjen e organeve në klinikën e tij.

Këto operacione ishin bërë nga një grup i kirurgëve dhe anesteziologëve në klinikën “Medikus”, pronë e Dervishit.

Në dispozitivin e lexuar nga prokurorja Bolici, thuhet se viktimave u ishin premtuar një shumë e caktuar e të hollave në këmbim të veshkave, por disa prej tyre nuk kishin përfituar asgjë, e disa nga ta më pak se që u ishte premtuar.

Më tej, prokurorja Bolici tha se duke filluar nga marsi i vitit 2008 janë bërë 48 operacione në klinikën në fjalë.

“Janë rekrutuar nga vendet e huaja dhe janë bartur në Kosovë për heqjen e organeve të veshkave në klinikën ‘Medicus’ dhe për transplantim tek pranuesit dhe duke zvogëluar përherë aftësinë e viktimave që dhurojnë për të punuar duke i shëmtuar përherë viktimat dhuruese dhe duke iu lënë vragë të madhe e të dukshme në trupin e tyre duke ju lënë pacientëve probleme psikologjike”, tha prokurorja Bolici.

Në këtë proces gjyqësor, i akuzuar është edhe djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi, i cili aktualisht gjendet në arrati. Ai ngarkohet me të njëjtat vepra si babai i tij, derisa ishte menaxher i Klinikës “Medicus”, raporton kallxo.com.

Edhe pse Arban Dervishi nuk u paraqit në gjykatë, avokati i tij tregoi se me cilat kushte i akuzuari mund t’i japë fund arratisë dhe të paraqitet në gjykatore.

“Unë kisha pasë shumë dëshirë që ai të jetë këtu në këtë gjykim, ngase nga ajo që më është përcjellë nga anëtarët e familjes së tij më duhet ta ripërsëris gojarisht që i mbrojturi im Arban Dervishi është shumë i interesuar që të jetë i pranishëm si i pandehur në rigjykim”, tha Dushi.

Ai kërkoi arrest shtëpiak për Arban Dervishin.

“Menjëherë pas kësaj seance t’i shqiptoni arrest shtëpiak me çka do të ju garantohej prania e të pandehurit në procedurë të rregullt juridike”, shtoi Dushi.

Por trupi gjykues në krye me Franceska Fischer-in veçoi procedurën ndaj Arban Dervishit dhe nuk pranoi propozimin e avokatit Dushi.

“Procedura penale ndaj të pandehurit Arban Dervishi ndahet dhe lënda e tij do të merr numër të ri që do të thotë se procedura do të veçohet. Asnjë i pandehur nuk mund të hyjë në negociata të tilla me gjykatën”, tha Fischer.

Në vitin 2013 urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arbani dhe mjeku anesteziolog Sokol Hajdini ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

 

Shpërndaje në: