Reagimi i partisë së Ali Ahmetit për zgjedhjet presidenciale

Reagimi i partisë së Ali Ahmetit për zgjedhjet presidenciale

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përshëndet mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kreun e shtetit të Maqedonisë Veriore.

Arbër Ademi nga BDI tha se zgjedhjet kaluan në një atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike në përputhje me standardet evropiane.

Sipas tij, zgjedhjet e sotme ishin edhe një plotësim i kushtit për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Aktualisht sipas rezultateve preliminare, kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski prinë me 41.77 për qind të votave para kandidatit të VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova me 38.69%. Kandidati shqiptar Blerim Reka ka 15.65 për qind.

Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, por deri me sot kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, kështu që balotazhi për ata që do të rezultojnë dy garuesit kryesore, është caktuar të mbahet në 5 maj./AlsatM/

Shpërndaje në: