Reagon AGK’ja pas raportit të DASH’it për Kosovën: Duhet të jenë alarm për institucionet e vendit

Reagon AGK’ja pas raportit të DASH’it për Kosovën: Duhet të jenë alarm për institucionet e vendit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit, lidhur me Kosovën.

Sipas AGK’së, gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari.

Në raport është përmendur edhe vështrësia e gazetarëve për marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.

“AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari.

AGK-ja gjithashtu fton pronarët e medieve që të lejojnë që gazetarët të raportojnë pa u cenzuruar e frikësuar se do të humbasin vendin e punës”, thuhet në reagim.

Ndryshe, në raportin e DASH’it thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Në raport përmenden edhe sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi, intervistimi nga Prokuroria i gazetarit Parim Olluri, si dhe kërcënimi i deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazit ndaj “Albanian Post”.

“Departamenti Amerikan i Shtetit citon raportet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj Visar Duriqit, intervistimin nga Prokuroria të Parim Ollurit për raportimin për vaksinat, si dhe kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj portalit “Albanian Post”, si tri prej incidenteve më të rënda në vitin 2021”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në: