Reagon Gashi për vaksinat: Prokuroria duhej ta hetonte MSH për mosfurnizim të qëllimshëm të vendit me vaksina

Reagon Gashi për vaksinat: Prokuroria duhej ta hetonte MSH për mosfurnizim të qëllimshëm të vendit me vaksina

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se  ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gashi tha se janë dy çështje që Prokuroria duhet të sqarojë për organet e drejtësisë dhe qytetarët.

“- A ka gënjyer Ministri i Shëndetësisë mbrëmë kur demantoi lajmin për sigurim të vaksinave – gjë që është dashtë të shoqërohet me padi për shpifje ndaj portalit në fjalë?;

– Apo lajmi i portalit Insajderi.org paska qenë në fakt i vërtetë dhe është cilësuar tashmë si zbulim i fshehtësisë zyrtare?”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Po ashtu ai tha se Prokuroria e shtetit do të duhej të hetonte ministrin për mosfurnizim të qëllimshëm të vendit me vaksina, mbështetur në email-at e publikuar nga portali Insajderi.org.

Dje mediumi “Insajderi” ka publikuar një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave. Siç ka raportuar “Insajderi”, thuhet që ministri Vitia të ketë refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech”.

Kjo është demantuar nga vetë ministri mbrëmë, i cili ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë një proces kaq jetik për qytetarët.

Shpërndaje në: