Reagon Policia e Kosovës në Facebook për situatën në Veri: Luftë kundër kontrabandës në katër rajone

Reagon Policia e Kosovës në Facebook për situatën në Veri: Luftë kundër kontrabandës në katër rajone

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për të treguar se çka po ndodh në veri të Kosovës.

Në këtë komunikatë është thënë që aksioni ka pasur të bëj me luftën kundër kontrabandës në nivel vendi, e ku kanë qenë të përfshira katër rajone: Prishtina, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut.

Në veri ka pasur tensione dhe janë ndezur sirenat menjëherë pas arritjes së forcave speciale. Por, nuk dihet nëse operacioni ka përfunduar me sukses.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.” – shkruan Policia, përcjell Periskopi.

Asnjë informacion nuk ka dhënë Policia sa i përket të arrestuarve.

Statusi i plotë:

Realizohet operacion policor në nivel vendi, në luftë kundër kontrabandës

Prishtinë, më 13 tetor  2021

Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.

Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale.

Shpërndaje në: