Reagon presidenti i FFK-së pas suksesit të vashave të Mitrovicës në Champions League

Reagon presidenti i FFK-së pas suksesit të vashave të Mitrovicës në Champions League

Skuadra e femrave të Mitrovicës ka siguruar edhe fitoren e tretë duke kaluar në fazën tjetër kualifikuese për në Champions League.

Vashat mitrovicase kryesojnë tani Grupin 2 me nëntë pikë pas tri ndeshjeve, derisa triumfuan së fundmi 1-0 kundër Breznicas nga Mali i Zi në Nikshiq, transmeton Periskopi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili ka uruar vashat për suksesin.

Më poshtë, reagimi i plotë:

Triumfi juaj i sotëm kundër kampionit të Malit të Zi erdhi si një sihariq në Stamboll, ku bashkë me shumë homologë tjerë dhe krerët e UEFA-s jemi mbledhur për takimin treditorë dhe për përcjelljen e ndeshjes së Superkupës së Evropës, ndërmjet Liverpoolit dhe Chelseat.

Kualifikimit tuaj të sotëm, që është edhe historik për futbollin tonë të femrave, s’do mend se iu ka gëzuar i gjithë komuniteti i futbollit por edhe opinioni i gjerë në Kosovë.

Ky sukses i merituar dhe shembullor me tri fitore në po aq ndeshje dëshmon se rezultatet tona pozitive të njëpasnjëshme nuk janë të rastësishme, por vijnë si rrjedhojë e punës së palodhshme e profesionale, vullnetit dhe investimit që po e bëjmë në futboll.

Kjo e arritur e juaja konfirmon se edhe futbolli i klubeve, krahas ekipeve tona kombëtare po i kontribuon ngritjes së imazhit të futbollit tonë në Evropë dhe botë, prandaj në emër timin dhe KE të FFK-së ju përgëzoj për këtë sukses të jashtëzakonshëm, duke ju uruar për paraqitje të dinjitetshme edhe në fazën tjetër të kësaj gare prestigjioze.

Të jesh në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës është ndjenjë krenarie dhe privilegj, prandaj shijojeni këtë moment dhe përqendrohuni në punë edhe më të madhe.

Ju lumtë vajza, të gjithë ndihemi krenarë me suksesin tuaj!

Me respekt,
Agim ADEMI
President i FFK-së

Shpërndaje në: