Reagon Shpend Ahmeti: Klani Pronto po shpif për punësime pa konkurs
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj raportimit të mediave se ai ka punësuar 250 persona pa konkurs. Ahmeti në një shënim në Facebook ka theksuar se ky është një spekulim i Klanit Pronto.
Portali Infopress më herët publikoi një artikull ku thuhet se Ahmeti, si kryetar komune, ka bërë shkelje ligjore duke punësuar simpatizantë të Vetëvendosjes në komunë dhe duke mos respektuar kriteret profesionale dhe ligjore. Lajmi u shpërnda me shpejtësi në disa portale tjera, duke nxitur edhe sqarimin dhe paralajmërimin për një padi nga vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Lexojeni të plotë reagimin e Ahmetit:
Para dy jave, portali Insajderi filloi të publikoj përgjimet e krerëve të shtetit që po dëshmojnë kapjen e shtetit në çdo cep, duke përfshirë dhe institucionet e pavarura. Para një jave unë isha edhe në një konferencë për shtyp ku në mes tjerash deklarova se pa çkapjen e shtetit nga këto koka të krimit Kosova nuk do të ec përpara.
Prej asaj dite kanë filluar sulmet e përditshme ndaj komunes. Prokuroria ka dërguar hetues në komunë në baza të përditshme. U sajuan storiet për heqjen e fotove të Skenderbeut. E sot u orkestrua një sulm për punësime.
Një portal në pronësi të një zv. Ministri ka marr listë nga thesari të të gjitha pagesave të bëra nga komuna duke thënë që këta janë militantet e VV të punësuar nga unë. RTK e cila nuk po flet ende për përgjimet e ka përcjellur këtë portal me titullin Shpend Grabovci dhe 250 të punësuar.
Vetëm për te ju treguar se çka janë në gjendje të bëjnë po I ndaj ca gjana me juve nga padia e cila I pret këtë javë.
Në listë nuk janë 250 persona, por shumë më pak emra të përsëritur shumë herë.
Në listë janë Xuxi, Etno Engjujt, Edona Reshitaj dhe muziciente të tjerë që janë angazhuar nga komuna në manifestime të ndryshme. Nuk besoj se ata janë militantë të VV te punësuar nga unë.
Në listë janë të gjithe punëtorët e Kuzhines Qendrore që gatuajnë për çerdhet e Prishtines e që punojnë në komunë qe më shumë se 20 vite. Ajo kuzhinë është privatizuar nga Isa Mustafa, unë i kam kthyer në komunë. Asnjë punëtor të ri nuk e kemi marr dhe mund ti pyesni secilin se a janë militantë të VV.
Në listë janë mbi 30 arkitektë të Prishtinës që punojnë në legalizim ku kanë regjistruar 46,000 ndërtime pa leje. Ligji I legalizimit parashesh punëtorë shtesë për legalizim e minsitria e financave nuk e ka lejuar asnjë shtesë me konkurs në mënyrë që edhe ky proces të dështoj. Secilin prej tyre I lus mediat që ti thirrni dhe ti pysni se si punojnë dhe militantë të kujt janë. Ministria nuk ka lejuar vende të rregullta me konkurs të rregulltë. Besoj që të njejtit do ti bashkangjiten padisë.
Në listë janë disa punëtorë të ofiqarisë të punësuar me kontratë në kohen e Isa Mustafes të cilët kanë vazhduar deri në konkursin e hapur. Ata më së paku janë militantë të VV.
Shpifjet mund të vazhdojnë nga Klani Pronto që ka kapur edhe televizionin e shtetit, por nuk mund ti zhbëjnë telefonatat e Grabovcit. Nuk mund ti zhbëjnë hajnitë e korrupcionin e Klanit Pronto. Nuk mund të na frikësojnë as me prokurori e lajme të tilla të fabrikuara.
Stop kapjes së shtetit dhe stop hajnisë!



