Real Madrid përmbys Celta Vigon, fiton në thrillerin me shtatë gola – ‘het trik’ për Benzema

Real Madrid përmbys Celta Vigon, fiton në thrillerin me shtatë gola – ‘het trik’ për Benzema

Real Madrid ka marrë një fitore që përkundër rëndësisë së pikëve, del të jetë e rëndësishme për mentalitetin e skuadrës.

‘Los Blancos’ kanë shënuar një fitore me rezultatin 5:2, edhe pse dy herë gjatë ndeshjes ishin në disavantazh, shkruan Periskopi.

Celta Vigo zhbllokoi rezultatin qysh në minutën e 4’ të takimit, me anë të Santi Mina, i cili shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen madrilene.

Karim Benzema reagoi 20 minuta më vonë për  të rikthyer balancet në rezultat, por Cervi i Celtas shënoi përsëri për të kthyer epërsinë e mysafirëve, të cilët në pauzë shkuan me epërsi 1:2.

Në pjesën e dytë, Ancelotti pati ide të tjera që nuk kapeshin nga Celta. Real Madrid shënoi qysh në minutën e 47’ me Benzema për të barazuar në 2:2, kurse Vinicius JR përmbysi rezultatin në 3:2, që njëkohësisht ishte epërsia e parë e Realit në këtë ndeshje.

Minuta në këtë ndeshje pati edhe për Eduardo Camavinga, i cili ndonëse luajti pak, arriti të shënonte gol në minutën e 72’, për të bërë më të mirë debutimin e tij.

Karim Benzema kompletoi het trikun e tij në minutën e 87’ të takimit kur shënoi nga penalltia që u fitua nga Vinicius.

Reali tashmë numëron 10 pikë në krye të tabelës, kurse Celta Vigo mbetet me vetëm një pikë të fituar. /Periskopi/

Shpërndaje në: